Ruben Saraiva, portugezi i marrë i pandehur për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në prill të vitit 2023 në Shëngjin, është përballur sërish këtë të hënë me dëshmitarët në Gjykatën e Lezhës.
Në sallën e gjyqit kanë dëshmuar të afërm të Edmond Haxhisë, personi që dyshohet se ka shitur motorin e përdorur në atentat, taksisti që ka transportuar shtetasin britanik Harry Simpson, si dhe administratori i hotelit ku Simpson qëndroi gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri.
Dëshmitarët kanë mbajtur të njëjtin qëndrim si në deklarimet e mëparshme. I afërmi i Edmond Haxhisë ka deklaruar se e ka takuar atë në Velipojë dhe mban mend që në atë kohë ka parë një person me ngjyrë, por nuk mundi ta identifikojë nëse bëhej fjalë për Ruben Saraivën apo dikë tjetër.
Ndërkohë, personi që ka shitur motorin ka pohuar se nuk i kujtohen detaje të qarta për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar, por ka bërë një deklaratë pranë noterit, ku ka përshkruar fizikisht blerësit e motorit.
Sipas këtij përshkrimi, njëri prej tyre dyshohet të jetë pikërisht Edmond Haxhia.
Seanca e radhës për këtë çështje pritet të zhvillohet më 15 shtator.
Portugezi Ruben Saraiva akuzohet si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin më 19 Prill 2023.
Komente
