Kronikë

Vrasja e palestinezes në Tiranë/ 24 vjeçarja e divorcuar dhe me 3 fëmijë dyshohet se u vra nga i ati se nuk respektoi parimet e Islamit! Autori fshihet në Liban (VIDEO)

6 Mars, 11:23| Përditesimi: 6 Mars, 14:50

  • Share

TIRANE- 24-vjecarja palestineze e vrarë në Tiranë nga babai, ishte nënë e 3 fëmijëve. Rayyan Alwan, ishte martuar herët, por historia nuk shkoi si duhet dhe çifti u divorcuan. Këto informacione, policia shqiptare, që po heton vrasjen e të resë, i mori nga homologët në Gjermani, të cilët u vunë në lëvizje pas kërkesës së autoriteteve tona. Pas divorcit, 3 fëmijët e saj të mitur qëndruan me babanë e tyre në Liban, dhe prej asaj kohe 24-vjeçarja palestineze nisi një jetë më të lirë, se sa gjatë martesës, arsye e cila dyshohet se u bë shkak për konfliktet me familjarët.

Nga informacionet e mbledhura nga Interpoli në Gjermani, për familjarët e saj besimtarë, kjo sjellje, që vlerësohet jashtë parimeve dhe rregullave strikte të Islamit, u bë shkak për kundërshti të vazhdueshme mes saj dhe babait 49-vjeçar Fadi Alwan. Nga verifikimet në Gjermani, të cilat pritet të shqyrtohen plotësisht nga policia, thuhet se vajza është dhunuar edhe fizikisht për shkak të sjelljeve që sipas babait nuk përshtaten me besimin e tyre.

Më 19 shkurt të këtij viti, në rrethana ende të paqarta, të dy, babë e bij, udhëtuan nga Gjermania me avion në Tiranë, ku morën një banesë me qira, aty ku babai e vrau me thikë 3 ditë më pas, dhe iku duke e lënë të pajetë në dhomë. Hetuesit po përpiqen të kuptojnë se çfarë i solli të dy në Tiranë, edhe pse dyshimet janë te një plan i organizuar i babait, për ta vrarë vajzën e padëshiruar në një vend të huaj, në një banesë ku nuk kishin deklaruar identitetet dhe ku nuk la asnjë gjurmë.

Palestinezët që mendohet se ishin në procedura azilkërkuesish në Gjermani, hynë në Shqipëri me pasaporta të rregullta greke. Por në biletat e tyre të udhëtimit është gjetur një numër identifikimi dokumentesh kosovare për të dy, ndaj Policia e Tiranës po kërkon te autoritetet në Prishtinë nëse palestinezët kishin apo jo mjete identifikimi nga Kosova.

Në një pamje të fundit të tyre kur sapo mbërritën në aeroportin e Rinasit, nuk duket ndonjë sjellje që vajza të jetë sjellë me forcë, kështu që paqartësitë shtohen edhe më shumë nëse babai kishte krijuar ndonjë histori të rreme sa për ta sjellë vajzën. Babai, i cili u largua 3 ditë pasi vrau me thikë në bark të bijën, ende pa u zbuluar trupi nga pronarja e shtëpisë me qira, iku drejt Athinës me avion, më tej në Amsterdam, ndërsa së fundi policia mendon se është fshehur në Liban, por deri tani nuk është kapur.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?