TIRANË- Nuk ka më dilema: 49-vjeçari palestinez, nuk ishte partneri, por babai i vajzës 24-vjeçare të cilën e vrau me thikë në shtëpinë që morën me qira vetëm 3 ditë pasi erdhën në Tiranë.
Këtë përgjigje hetuesit e Policisë së Tiranës e morën nga bashkëpunëtorët e Interpol. Nëse bien në gjurmët e familjarëve të tyre, hetuesit presin të mësojnë më shumë mbi konfliktet që mund të kenë pasur për të zbuluar arsyen pse babai e solli të bijën në Tiranë, me planin për ta vrarë.
Fadi Alwan mbërriti me të bijën nga Gjermania në Tiranë më 19 shkurt, nuk i tregoi askujt identitetin, e vrau me thikë në dhomën me qira në katin e tretë të një godine në në rrugën “Gjon Muzaka”, dhe iku me avion drejt Athinës, i qetë, ende pa u gjetur trupi i pajetë i së bijës, të cilën e zbuloi më 27 shkurt pronarja e banesës. Ai mori gjithçka me vete, pasaportën e vajzës, celularin e saj me shpresën se nuk do zbulohej. Nga Athina, në planin e tij të mirëorganizuar, 49-vjeçari palestinez udhëtoi drejt Amsterdamit, e më tej drejt Libanit. Lokalizimi i fundit është bërë atje dhe në bashkëpunim me Interpol po punohet për arrestimin.
Nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë në aeroportin e Rinasit, Fadi është i vetmi që komunikon me policinë dhe stafin e aeroportit, duke e lënë të bijën Rayyan Alwan gjithë kohës në hije. Ata kaluan me dokumente greke, të cilat pasi janë verifikuar tashmë, rezultojnë të jetë të pa falsifikuar.
Ekspertiza e vdekjes së të resë akoma nuk ka dalë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa pritet të zbulohen familjarë të saj për tu njoftuar për tragjedinë e për të tërhequr trupin nga morgu.
Ndërkohë media holandeze 'De Telegraf' hedh dyshime se 24-vjeçarja mund të jetë përdhunuar para se të vritej. Report Tv kontaktoi me policinë në lidhje me këtë pretendim, por blutë u përgjigjën se presin rezultatet e ekspertizës, për të arritur në një përfundim të tillë.
Komente
