TIRANË- Vetëm 1 ditë para se pronarja e shtëpisë me qira në Tiranë të gjente në dhomë trupin e pajetë të 24-vjeçares palestineze të goditur disa herë me thikë në bark nga babai Fadi Aluan , nëna e saj në Gjermani kishte bërë një kallëzim më 26 shkurt (2025). Siç autoritetet gjermane zbuluan, familja ishte në presion prej dhjetorit të vitit të kaluar (2024) dhe shantazhohej me një video të vajzës së tyre, Raian Aulan, e cila shfaqej nudo. Madje, nëna ka deklaruar se i ka dhënë disa herë para vajzës për të paguar kërcënuesit, të cilat vajza pa praninë e saj i ka thënë se ia transferonte shantazhuesit. Megjithatë, në kallëzim, nëna e Raian nuk përjashton mundësinë që e gjitha të ishte një histori e stisur nga vajza, dhe kërcënuesi i pretenduar të ishte vetë ajo për të përfituar para.
Autoritetet gjermane kanë arritur të pyesin nënën mbi atë që mund të ketë ndodhur në Shqipëri. Ajo tregoi se nuk jeton më me burrin dhe se të dy, babë e bij erdhën në Tiranë më 19 shkurt (2025), por hetuesit nuk e kanë ende të qartë arsyen pse erdhën në Shqipëri. Sipas dëshmisë së nënës, vajza dyshohet t’i ketë treguar babait gjatë qëndrimit në Tiranë videon ku pretendohet se shfaqet nudo, dhe aty të ketë nisur një mosmarrëveshje mes tyre. Celulari i vajzës nuk është gjetur për të parë nëse kjo video ka ekzistuar apo jo, pasi mendohet ta ketë marrë me vete i ati, bashkë me pasaportën e saj.
Megjithë këtë dinamikë të re përshkruar nga nëna, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që vrasja në Tiranë e palestinezes 24-vjeçare nga babai i saj, të jetë jo një krim gjaknxehtësie, por i mirëorganizuar, pasojë e konflikteve të vazhdueshme që e reja kishte me familjen e saj në Gjermani.
Në Gjermani, siç autoritetet atje i kanë thënë policisë shqiptare, vajza kishte bërë një kallëzim në janar 2024 sipas së cilës, nëna, babai Fadi Aluan dhe dy vëllezërit e kërcënonin me vdekje prej disa kohësh për shkak të dëshirës së saj për një jetë të lirë dhe perëndimore, sidomos pas divorcit prej 4 vitesh nga bashkëshorti i cili jeton në Liban me 3 fëmijët e tyre. Ankesa të mëtejshme të saj se familjarët po vijonin ta kërcënonin nuk janë bërë në vazhdim në Berlin.
Babai 49-vjeçar e vrau vajzën 3 ditë pasi erdhën në Tiranë, e la në dhomë të pajetë, dhe u largua nga Rinasi, ende pa u zbuluar krimi i tij.
Komente
