DURRËS- Ekspertiza ka konfirmuar se arma e gjetur në pellgun me ujë në sektorin Rinia është përdorur për vrasjen e Pëllumb Metës në Durrës. Gazetari i Report Tv, Artur Korriku mëson se në Prokurorinë e Durrësit ka mbërritur përgjigja nga Laboratori Shkencor në Tiranë, ku sipas ekspertizës balistike të pistoletës TT Mod-54, është konfirmuar se është pikërisht kjo arma me të cilën është kryer krimi.
Ndërkohë dy djemtë e Pëllumb Metës, Hysen dhe Amarildo Meta qëndrojnë në dhomat e paraburgimit në burgun e Durrësit, ndërsa motra e tyre Hygerta në dhomat e paraburgimit të grave në Tiranë.
Që të tre vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim lidhur me vrasjen e babait. Sipas qëndrimit të tyre, ekzekutorja e Pëllumb Metës është vajza Hygerta.
49-vjeçari Pëllumb Meta u vra më 10 shkurt në banesën e tij në fshatin Shënavlash dhe 3 fëmijët e varrosën në kasolle, në tentativë për të fshehur kufomën. Ngjarja tronditëse u zbulua nga policia më 23 shkurt, pasi djali i madh e denoncoi të zhdukur.
Që prej arrestimit e deri më sot, 3 fëmijët kanë dhënë deklarata kontradiktore, ndaj po kryhen hetime intensive për zbardhjen e autorit kryesor. Sa i përket shkaqeve, dhuna në familje dhe fejesa me shkuesi e Hygertës mbeten pista kryesore. Nuk përjashtohet as konflikti për pronat. Nga hetimi pasuror rezulton se viktima kishte dy shtëpi dhe një sipërfaqe toke në zonën industriale të Durrësit.