Hetuesit e Durrësit janë në pritje të ekspertizës balistike nga laboratori shkencor në Tiranë, për armën e krimit që i mori jetën Pëllumb Metës më 10 shkurt. Kjo provë, dhe ballafaqimi i dëshmive, pritet të çojnë Prokurorinë drejt autorit që ka shtënë me armë ndaj 49-vjeçarit në Shënvlash, në kushtet kur vajza dhe djali i madh i kanë ndryshuar disa herë dëshmitë, se cili mes të dyve qëlloi me pistoletë.
3 fëmijët, Hygerta, Hysen dhe Amarildo Meta janë në qeli për vrasjen e babait dhe bashkëpunimin në fshehjen dhe groposjen e trupit në oborrin e shtëpisë, ndërsa nëna e tyre Blerina po hetohet në gjendje të lirë. Ajo pretendon se burri e ka dhunuar gjatë gjithë kohës, ndërsa fëmijët flasin për një baba autoritar ku duhej të bëhej vetëm siç ai thoshte. Familjarët e Pëllumb Metës thonë të kundërtën duke e quajtur një kryefamiljar të dashur që ka sakrifikuar për mirëqenien e fëmijëve.
Përmes dëshmive të reja, hetimet pritet të qartësojnë edhe fejesën e pretenduar me shkesi të Hygertës me një djalë të zonës, emigrant në Itali. Deri tani ka dy versione, i pari se babai do i jepte burrë me zor, e versionit tjetër se kishte refuzuar fejesën me argumentin se vajza 19 vjeç po ndiqte shkollën e lartë në Tiranë.
E fundit që u intervistua ishte vajza e madhe Bedra e cila ishte në të njëjtën linjë kur e quan babain autoritar. Vajza, e cila është shtatzënë, po qëndron në shtëpinë e gjyshërve së bashku me nënën e saj.
Në një intervistë për emisionin ‘Pa Gjurmë’, Blerina Meta, bashkëshortja e Pëllumb Metës tha se kishte rënë pre e dhunës së tij për vite me rradhë dhe se vazhdimisht, viktima e kërcënonte atë dhe fëmijët se do t’i vriste. Ndërsa 3 fëmijët, Hysen, Hygerta dhe Amarildo Meta, u lanë në burg nga gjykata e Durrësit në 26 shkurt nën akuzën e vrasjes së të atit.