Hydajet Mehmedaj i shpallur në kërkim për vrasjen e Ridvan Ramazanin më 28 nëntor të vitit të kaluar në Shkodër, është arrestuar ditën e sotme nga policia.
Hydajet Mehmedaj, 34 vjeç, u arrestua në një bar-kafe në fshatin Mushan, Shkodër. Ky shtetas, në bashkëpunim me Duel Mehmedaj, (vëllai i tij) i cili është i shpallur në kërkim dhe Milkjor Gjoka i arrestuar ditën e ngjarjes, dyshohet se kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Ridvan Ramazani (Hyseni), 46 vjeç, banues në fshatin Darragjat, Shkodër.
Për shtetasin Hydajet Mehmedaj, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, më datë 01.12.2020, ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
Ditën e ekzekutimit të 46-vjeçarit u vu në pranga 25-vjeçari Milkjor Gjoka, për të cilin gjykata ka dhënë masën ‘arrest me burg’. Gjoka mohoi të ketë bashkëpunuar me vëllezërit, Duel dhe Hydajet Mehmedaj që dyshohen si autorë të vrasjes se Ridvan Hysenit ose i njohur edhe si Ridvan Ramazani. Ndërkohë Milkjor Gjoka nuk ka dhënë sqarime të mëtejshme rreth ngjarjes.
Fillimisht ditën e ngjarjes u tha se kamerat e sigurisë nuk funksiononin, por duket se kanë qenë pikërisht regjistrimet e kamerave që kanë çuar në zbardhjen e autorëve të ngjarjes.
Ridvan Ramazani u ekzekutua me 30 plumba kallashnikovi më 28 nëntor 2020 në fshatin Mushan në Shkodër pranë një pike karburanti teksa udhëtonte me makinën e tij. Aty pranë kaloi një motor ku besohet se vëllezërit Mehmedaj të cilët kanë shkrehur karikatorin drejt Ramazanit. Familja këtij të fundit, kishte konflikte të vjetra me një tjetër fis, atë të Edmir Koçisë. Ky i fundit është vrarë në të njëjtën datë, 28 nëntor, 8 vite më parë në Shkodër.
Në vitin 2008, Ridvan Ramazanit i kanë vrarë në zonën e Dajçit, xhaxhain e tij Enver Ramazani, ngjarje e cila nuk është zbuluar sot e kësaj dite. Ramazani u ekzekutua pikërisht në vendin ku ai së bashku me mikun e tij Vil Shega edhe ky i vrarë, ekzekutuan në vitin 2000, Mikel Bitukun alias Pashuku. Arsyet e kësaj vrasje në atë periudhë në fshatin Dajç dhe pikërisht tek vendi ku u vra, Ridvan Ramazani ishin për shkak të një konflikti për makinat.