Sabrina Bengaj

Opinion

Vrasja e Sabrinës, krim i parathënë

12 Shtator 2021, 20:56| Përditesimi: 12 Shtator 2021, 20:59

  • Share

E vrau tek po hante. Ishte drekë e vonë, sa qe kthyer nga puna dhe kishte uri. I duhej të punonte, të ushqente veten dhe vajzën tre vjeçare. Krimi për të cilin u ndëshkua Sabrina 23 vjeçare ishte divorci nga një burrë problemor, dmth nga ky ‘trimi’ që e vrau me bukë në gojë.

S’ishte krim i papritur, rrufe në qiell të pastër, përkundrazi ishte vrasje e paralajmruar. Para një viti e ndjera kishte marrë vajzën dhe kishte ikur tek prindërit për t’i shpëuar sherrit e shamatasë së përditshme. Trimi në fjalë qe ofenduar rëndë dhe kishte vajtur ta merrte nën kërcënimin e armës. Si rezultat përfundoi në burg. Kemi apo s’kemi shtet!

U gjetën ca të pandërgjegjshëm, gjyqtarë e mjekë që, për arsye që s’dihen por të gjithë i marrim me mënd, e nxorrën nga burgu tak – fak. Përkundër zullumeve të një pakice të korruptuar, shteti mbeti shtet, gjykata e paisi vajzën e gjorë me urdhër mbrojtjeje. E mbrojtur me dy gisht letër ishte edhe kur në mes të ditës erdhi trimi dhe e vrau. Të paça o shtet

Parë kështu vrasja e Sabrinës ishte e paralajmruar, madje edhe e parathënë. Erdhi si fatalitet që, megjithëse kishte dhenë shenja prej kohësh, nuk e shmangën dot as dy familjet, as komuniteti, madje as shteti.

Por vrasja në fjalë ishte e parathënë edhe në një rrafsh tjetër, më të gjerë. Flasim e përflasim jo  pak vrasje të këtij lloji. Rioshë e burra të prekur në namuz, rrëmbejnë koburen e bëjnë gjëmën se e dashura a bashkëshortja braktisin lidhjen a kërkojnë divorc. Sa kohë të kemi namuzqarë të tillë, që i shohin vajzat a gratë jo si partnere të barabarta, por si mall që u përket atyre, vrasjet e kësaj natyre do do vazhdojnë si fatalitet.

Në raste si ky i djeshmi në Fier kambanat nuk bien për viktimën, por për atë që ka vdekur brenda nesh si shtet, si moral, si shoqëri e si individë. ( Nga cikli ‘ Djerrinat e shpirtit’ )

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?