Pas Blendi Tetës, Ilir Selmani, i dënuar me 28 vite burg si pjesëmarrës në vrasjen e Santiago Malkos, ishte dëshmitari i radhës që u pyet në procesin ndaj Leonard Dukës, Erlis Dukës e të tjerë, të akuzuar për të njëjtën ngjarje. Selmani, këmbënguli në pafajësinë e tij, duke pretenduar se ishte dënuar me prova të manipuluara nga zyrtarë të policisë. Sipas tij, janë paguar 500 mijë euro për të dëmtuar vëllezërit Duka.
Ai tha në seancë se nuk ka lidhje me vrasjen e Malkos. Selmani tha se Blendi Teta, po ashtu i dënuar për ngjarjen, ishte marrë peng dhe kërcënuar nga Ervis Martinaj, ishte detyruar të firmoste shkresa që nuk i kishte lexuar. Sipas dëshmitarit , ditën e ngjarjes ai kishte drekuar në një restorant tek "Fresku" me Leonard Dukën, Erlis Dukën, Olian Logën, Dritan Again e disa të tjerë.
Në përfundim ai kishte shoqëruar me një automjet "Skoda" që përdorej për aktivitetin e vëllezërve Duka, Blendi Tetën drejt një vendqëndrimi taksish.
“Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen. E kam mësuar në televizion. Vëllezërit Duka i kam shokë të ngushtë. Kam shkuar për drekë ditën e ngjarjes në lokalin që ata kishin marrë me qira. Dreka ishte rastësore për rreth 2 orë e 30 minuta. Ishim 8-9 veta në tavolinë, Blendi Teta, Fatmir Hyseni, Erlis Myftari solli Bledin dhe iku. Më kërkoj Erlis Duka që ta shoqëroja Blendi Tetën me makinë deri tek spitalet. Dëgjova diçka, por nuk di nëse ishin krisma armësh apo jo. Më pas kur e mendova ngjarjen, e kuptova që ishin krisma. Pastaj mora makinën dhe kur shkova tek lokali, policia kishte rrethuar Erlisin dhe Leonardin. 4 ditë pas ngjarjes shikoj që janë 9 veta në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos (I drejtohet prokurorit): Çdo provë është e manipuluar nga dy oficer policie. Ju prokuror keni thënë nga deklarimet e Blendi Tetës se jam i përfshirë, por nuk keni asnjë provë. Nuk keni bërë asnjë hetim, keni marrë prova të manipuluara nga oficerët e policisë. Janë paguar para për të penguar hetimin. Janë përgjuar përgjime nga oficerët se kanë manipuluar provat. Kam material dhe pres provat, informacionin shkresor dhe tabulatet telefonike që provojnë se janë manipuluar hetimet”- tha Selmani, tha Selmani që pretendon se ka punonjës policie, që kanë manipuluar provat dhe prokurorin i ka marrë ato të pa hetuar.
Prokurori Behar Dibra: Shumë mirë, të inkurajojmë ta denoncosh rastin!
Ilir Selmani: Blendi Tetën e kanë marrë peng dhe e kanë dhunuar. Më keni dënuar me deklarimet e tij. E kam takuar në burgun “313” kur ishte tranzit. Më tha që e ka marrë peng Ervis Martinaj. I kanë thënë se do të të murosim. Ervis Martinaj e njoh se ka patur kompani të përbashkët llotosh me vëllezërit Duka. Arsyeja e përplasjes mes Dukajve e Martinajt ishte se ky i fundit donte ti merrte biznesin. Po bëj burg kot, jemi të pafajshme unë dhe shokët e mi. Prokurori ka bërë hetime të arnuara.
Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi në nëntor të vitit të kaluar dënimin me 28 vjet burg për Ilir Selmanin për akuzën e vrasjes së kryer në bashkëpunim ndaj ish-policit Santiago Malko në verën e vitit 2019 në Tiranë. I pandehuri u dënua në maj të këtij 2023 edhe në shkallën e parë, ndërkohë që ra në pranga gjatë një aksioni të policisë në zonën e Xhamllikut, në prill të vitit 2020.
Si ndodhi vrasja
-Vrasja e Santiago Malkos më 27 gusht 2019 ishte planifikuar nga një skuadër e përbërë nga 7 anëtarë, të cilët kanë qënë aktivë në terren, ndërsa dy persona të tjerë janë ata që kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin “Doqen” e Vlorës për të hapur zjarr në drejtim të objektivit Malko. Etja për të vrarë Santiago Malkon dhe për të mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi këtij personi, ka qënë e madhe, kjo pasi shihet qartë dhe hapur mobilizimi i klanit “Duka”, në logjistikë, në burime njerëzore dhe burime financiare. “Shqiptarja.com” e cila ka investiguar dhe publikuar e para se hija e kujt klani fshihej pas kësaj vraje, emrat dhe rolin e klanit “Duka” në këtë ngjarje, sot sjell të plotë akuzat që janë ngritur ndaj personave të shpallur në kërkim si Leonard dhe Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj ose “Gabeli”, Fatmir Hyseni ose “Doqja” dhe Bledar Teta.
Gjith ftyrat e kqia qe rrinin mas V.M iken per lesh.
Përgjigju