Vrasja e Santiago Malkos, GJKKO dënon me 28 vite burg Selmanin dhe 7 vite Gacajn! Rrëzohet akt-ekspertiza private e vëllezërve Duka

3 Maj 2023, 11:51| Përditesimi: 3 Maj 2023, 17:01

  • Share

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 28 vite burg Ilir Selmanin dhe me 7 vite burg për Elvis Gacajn për vrasjen e Santiago Malkos në gusht të vitit 2019. Gjatë seancës së mbajtur ditën e sotme në GJKKO pati debate të shumta. 

Avokatët e vëllezërve Leonard dhe Elis Duka, të cilët po gjykohen në mungesë, kërkuan pavlefshmërinë e akt-ekspertizës të bërë nga Prokuroria e Posaçme për pamjet filmike që u shfaqën në GJKKO rreth 5 muaj më parë, targat e saj dhe personat që ishin brenda. Për të provuar këtë, avokatët kanë depozituar një ekspertizë private, përmes të cilës pretendojnë, se materialet e përcaktuara nga hetimet e SPAK, nuk çojnë në identifikimin e llojit të makinës, të targës apo të personave që ndodheshin brenda mjetit.

Kjo kërkese është kundërshtuar nga prokurori Behar Dibra i cili pasi dëgjoi pretendimet e mbrojtjes së vëllezërve Duka, kërkoi nga Gjykata që të mos merret parasysh kjo kërkesë, duke ngritur pyetjen se mbi çfarë momenti procedural, është bërë ky akt-ekspertim privat. Kërkesa e palës mbrojtëse, u prit me tension nga familjarët e Santiago Malkos, e ëma dhe motra të cilat ndjekin procesin. Fillimisht e ëma përveçse i kërkoi drejtësi gjykatës, pretendoi se është dëmtuar hetimi si nga pala mbrojtëse ashtu edhe nga mbrojtësit e të akuzuarve duke publikuar pamjet filmike e për rrjedhojë duke dëmtuar hetimin. Tonet e larta të familjares bënë që kjo e fundit të lërë sallën e gjyqit me vendim të trupës gjykuese. Po ashtu edhe motra e viktimës iu drejtua avokatëve të palës së akuzuar.

"Po më detyroni të lë jetim edhe fëmijët e mi, siç i ka lënë vëllai im, nuk mund të bëhen hetime private".

Në fund të seancës, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për mospranimin e akt-ekspertizës private. Në muajin janar, në Gjykatën e Posaçme u shfaqën për herë të parë pamjet filmike të kamerave të sigurisë që kanë fiksuar vrasjen e ish-policit, Malko, i njohur si krahu i djathtë i Ervis Martinaj. Ngjarja është kapur nga kamera e një lavazhi ne zonën e Porcelanit në Tiranë ku duket makina e atentatorëve, e cila ishte në ndjekje të Malkos që gjithashtu ishte me automjet, dhe pasi ky i fundit hap krahun qëllohet me breshëri automatiku.

Në kamerat filmike dallohen që autorët i kanë bërë fillimisht shenjë me drita për të ndaluar Malkos dhe në momentin që ai vjen e qëllojnë me breshëri kallashnikovi nga brenda makinës. Më pas makina e ish policit lëviz për disa sekonda për inerci dhe përplaset me disa kazanë mbeturinash.

Sipas dosjes hetimore, ekzekutor dyshohet të jetë Fatmir Hyseni nga Vlora, i shpallur në kërkim. Ndërkohë që akuzohen si organizatorë vëllezërit e klanit Duka, Leonard dhe Erlis Duka edhe këta në kërkim, por që pak ditë më parë gjykata nisi në mungesë procesin ndaj tyre. Santiago Malko dyshohet se u ekzekutua nga grupi rival i Ervis Martinaj, për shkak të lidhjeve të afërta me këtë të fundit. Leonard Duka është arrestuar në shkurt të këtij viti në Belgjikë pasi ka një masë sigurie arrest në burg nga Gjykata e Posaçme, ndërsa pritet ekstradimi i tij.

SPAK kishte mbyllur hetimet për grupin e konsideruar si 'Klani Duka' që në korrik të vitit 2021 por gjykimi ndaj tyre ishte pezulluar sepse janë të gjithë në arrati dhe askush i arrestuar. Në proces po gjykohen Leonard Duka, Erlis Duka, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni (Musai), Dritan Agaj (të gjithë në mungesë dhe të pakapur nga policia), të cilët  akuzohen të gjithë për vepra të tilla si "Grup i Strukturuar Kriminal", "Kryerja e veprave penale nga grup I strukturuar kriminal" "Vrasja me paramendim", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", të gjitha në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 27 gusht 2019 kur në Rrugën "Xhanfize Keko" në Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri polici Santiago Malko.

Për këtë vrasje është u dha vendimi për dy të pandehurit Ilir Selmani dhe Elvis Gacaj, ndërsa më parë është dënuar me 25 vite burg Blendi Teta. Leonard Duka, Oltjan Loga dhe Dritan Agaj akuzohen edhe për "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", ndërsa, Oltjan Loga ka edhe një akuzë për arratisja nga burgu.

Si ndodhi vrasja
-Vrasja e Santiago Malkos
 më 27 gusht 2019 ishte planifikuar nga një skuadër e përbërë nga 7 anëtarë, të cilët kanë qënë aktivë në terren, ndërsa dy persona të tjerë janë ata që kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin “Doqen” e Vlorës për të hapur zjarr në drejtim të objektivit Malko. Etja për të vrarë Santiago Malkon dhe për të mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi këtij personi, ka qënë e madhe, kjo pasi shihet qartë dhe hapur mobilizimi i klanit “Duka”, në logjistikë, në burime njerëzore dhe burime financiare. “Shqiptarja.com” e cila ka investiguar dhe publikuar e para se hija e kujt klani fshihej pas kësaj vraje, emrat dhe rolin e klanit “Duka” në këtë ngjarje, sot sjell të plotë akuzat që janë ngritur ndaj personave të shpallur në kërkim si Leonard dhe Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj ose “Gabeli”, Fatmir Hyseni ose “Doqja” dhe Bledar Teta. 

Ora 16:32
Vrasja e Santiago Malkos, krahut të djathtë të Martinajt, GJKKO dënon me 28 vite burg Ilir Selmanin dhe 7 vite Elvis Gacajn

GJKKO ka dënuar me 28 vite burg Ilir Selmanin për vrasjen e Santiago Malkos në gusht të vitit 2019. Gjithashtu është dënuar me 7 vite burg, bashkëpunëtori i tij, Elvis Gacaj.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?