Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka shpallur pretencën për dy anëtarët e klanit Duka të akuzuar për vrasjen e ish efektivit të policisë, Santiago Malko në 27 gusht të 2019-ës.
SPAK ka kërkuar dënimin me 25 vite burg për Ilir Selmanin dhe me 7 vite burg për Elvis Gacajn. Ish polici, Malko, njihej si krahu i djathtë i të shumëkërkuarit të drejtësisë, Ervis Martinaj dhe dyshohet se u ekzekutua nga anëtarët e klanit ‘Duka’ që njihen si rivalët më të mëdhenj të biznesmenit të lojërave të fatit i cili ka humbur gjurmët prej muajsh, që pasi u shpall në kërkim në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë’. Më herët për këtë ngjarje, u dënua me 25 vite burg, Bledi Teta, i cili ka qenë një prej personave që mori pjesë në atentatin me breshëri kallashnikovi ku shënjestra ishte viktima Santiago Malko. Teta ka mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e Malkos dhe ka njoftuar grupin kundërshtar në momentin kur ky i fundit është gjetur i pambrojtur.
Në 14 shkurt të këtij viti, Leonard Duka, rivali më i madh i bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, me shumë mundësi e kishte planifikuar ta festonte me bashkëjetuesen e tij në një apartament në një provincë të Brukselit. Por, për të kundërtën u kujdesën autoritetet belge, të cilat sa hap e mbyll sytë zbarkuan që në orën 06:00 të mëngjesit në banesë dhe e arrestuan. Sipas burimeve, 37-vjeçarit, që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit si autor i dyshuar i vrasjes së Santiago Malkos në gusht 2019, iu gjend armë zjarri në banesë dhe një sasi e konsiderueshme parash. Duka, kur e pa veten të rrethuar dhe pa asnjë mundësi arratisje, nuk bëri rezistencë dhe iu dorëzua policisë belge pa shumë zhurmë. Ai u mbajt nën vëzhgim nga policia belge për disa ditë, derisa u bindën se kishin të bëjnë me të njëjtin person që homologët e tyre shqiptarë kishin lokalizuar më herët.
Si ndodhi vrasja e Santiago Malkos?
Mbrëmjen e 27 gusht në zonën e "Xhamllikut" ekzekutohet me breshëri plumbash Santiago Malko. Malko, një ish punonjës policie i larguar nga detyra pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit, ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij do të dilte në skenë në Tetor të 2018, ngjarje kjo kur i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash. Në kërkim me vendim gjykate janë shpallur 7 persona, Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku e Dritan Agaj të gjithë nga Tirana, si dhe Fatmir Hyseni nga Vlora, i njohur ndryshe me nofkën “Doqja”. Malko dyshohet të ketë qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale, e ndërsa dyshimet e policisë janë se ai u ekzekutua për shkak të trafikut të lëndëve narkotike, borxheve të pashlyera e konflikteve mes bandave të rrezikshme.