Ervis Martinaj, Santiago Malko dhe Leonard Duka

Kronikë

Vrasja e Malkos, SPAK prova të reja në GJKKO! Duka: S’kam përdorur SkyECC, jam takuar me Martinajn! Nëna e ish-policit nxirret jashtë: S’ta fal gjakun e djalit, do të të vras 

24 Qershor, 10:19| Përditesimi: 24 Qershor, 10:33

  • Share

TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zhvilluar sot seanca gjyqësore për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019 në zonën e Xhamllikut në Tiranë.

Të pandehur në këtë proces janë Leonard Duka, Erlis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltian Loga, të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se ka planifikuar dhe ekzekutuar Malkon, i njohur si "krahu i djathtë" i Ervis Martinaj.

Në këtë seancë, pritej dëshmia e babait të Leonard Dukës, Muhamet Duka, por ai nuk u paraqit për shkak të problemeve shëndetësore. Avokatja e tij dorëzoi në gjykatë një raport mjekësor.

Ndërkohë, Leonard Duka ka dhënë dëshminë e tij, duke mohuar që të ketë pasur llogari në aplikacionin “Sky ECC”. Ai deklaroi se nuk ka pasur një të tillë, nuk di asgjë për kodet dhe nuk ka pasur kontakte me persona që e kanë përdorur këtë aplikacion. Për një foto të gjetur në komunikimet e “Sky”, Duka u shpreh se nuk është ai në imazh.

Në vijim të dëshmisë, Duka pranoi se e kishte takuar Ervis Martinajn, por mohoi të ketë pasur komunikime të tjera me të. Përfaqësuesi i SPAK, Behar Dibra, i bëri disa pyetje të tjera për Leonard Dukën, përfshirë edhe rreth babait të tij, por ai deklaroi se i ati nuk ka pasur asnjë problem.

Pjesë nga diskutimet në sallën e GJKKO

Avokatja pyet Dukën: A keni pasur “Sky ECC”?

Duka: Jo.

Pyetet për kodin.

Duka: S’e kam idenë.

Avokatja: Keni pasur kontakte me persona që kanë pasur “Sky”?

Leonard Duka: Jo, s’kam pasur asnjë kontakt.

Pyetet lidhur me një foto të gjetur në “Sky”.

Duka: Nuk jam unë.

Prokurori Behar Dibra: Me Ervis Martinajn keni komunikuar, keni pasur kontakte?

Duka: Po, e kam takuar.

Dibra: Po komunikime të tjera?

Duka: Jo.

Dibra: Po babai juaj, ka pasur ndonjë problem? E keni ndarë me ndonjë?

Duka: Babai im s’ka pasur asnjë problem.

Prokuroria ka dorëzuar prova të reja në dosje, duke përfshirë edhe komunikime të zbardhura në “Sky ECC”, që sipas saj përforcojnë lidhjet mes Leonard Dukës dhe Ervis Martinajt.

Një moment tensioni ndodhi në sallë, kur nëna e Santiago Malkos shpërtheu në akuza dhe u nxor jashtë nga trupa gjykuese. “S’të fal gjakun e djalit kurrë, do ta vras! Më fute djalin në dhe”, është dëgjuar të thotë ajo mes lotësh. Seanca u shty dhe gjykata urdhëroi përsëritjen e fletëthirrjes për Muhamet Dukën, babanë e Leonard Dukës, që të paraqitet dhe të dëshmojë në seancën e radhës.

Dhunimi i babait të vëllezërve Duka dyshohet se është edhe 'sebepi' i armiqësisë mes ish-miqve Duka-Martinaj, që kaluan më tej në konflikt të përgjakshëm. Nga hetimet dhe dëshmitë rezulton se Malko kishte rrahur babanë e vëllezërve Duka dhe situata kishte denigruar më tej, teksa ish-polici cilësohej si mbështetës i 'mbretit të kumarit', Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej 8 gushtit 2022 pa asnjë gjurmë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shkelet armëpushimi Izrael-Iran, mendoni se do përshkallëzohet konflikti?