TIRANË-Vrasja e ish-efektivit të policisë së Tiranës Santiago Malko, pritet të sjellë arrestime të tjera në ditët në vijim.
Burime pranë policisë dhe prokurorisë së Tiranës thanë për “Shqiptarja.com” se hetimi për këtë ngjarje kriminale është duke ecur dhe në ditët në vijim do ketë arrestime të tjera. Provat e administruara në dosjen hetimore, tregojnë për një skenar të mirëorganizuar nga një skuadër prej 7 anëtarësh të një grupi kriminal që në Tiranë njihet si klani “Duka”.
Hija e këtij grupi kriminal që ka dalë rishtazi në Tiranë dhe që po fiton ndjeshëm teren në raport me grupet e vjetra në kryeqytet, duket se qëndron pas vrasjes së ish-efektivit të policisë Santiago Malko. Ky i fundit u qëllua me mbi 10 plumba teksa po lëvizte me automjetin e tij “BMWX5”. Prokuroria dhe policia e Tiranës gjatë kësaj kohe kanë mbledhur prova që të krijojnë bindjen se disa prej anëtarëve të këtij grupi, kanë marë pjesë në vrasjen e Santiago Malkos.
Momentalisht në burg për këtë ngjarje të rëndë është vetëm Blendi Teta, i cili është arrestuar për akuzën e “Kryerjen e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.Teta ka darkuar me L.D dhe D.A, përpara se të lëshohej urdhri për ekzekutimin e Santiago Malkos, nga skuadra 7 anëtarëshe që ndodhej në terren dhe survejim të çdo hapi që hidhte Malko në zonën e Porcelanit.
Pritet që në ditët në vijim hetimi i kësaj çështje të finalizohet dhe me arrestime të tjera të personave që kanë marrë pjesë në këtë vrasje. Personat kryesorë të dyshuar si pjesëmarrës në këtë vrasje janë I.S, L.D, E.D,D.A, O.L, E.G.