ELBASAN - Dy vite pas vrasjes së trefishtë të regjistruar në Elbasan më 29 dhjetor të 2018-ës, ku humbën jetën Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe Erdal Durunay, është identifikuar dhe shpallur në kërkim ndërkombëtar një prej autorëve të dyshuar.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se bëhet fjalë për Mikael Qosen ku sipas të dhënave që disponon grupi hetimor gjatë 2 viteve, të jetë vëzhgues në atentatin mafioz.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Kombinatit Metalurgjik, në Bradashesh ku një makinë ka qëlluar drejt 3 personave të cilët ndërruan jetë, Endrit Alibej së bashku me Arben Dylgjeri, 56 vjeç kushëririn e tij dhe një turk Erdal Durunay, 51 vjeç.
Të tre ata mbetën të vrarë brenda në automjetin tip ‘Range Rover’ me targa rumune në segmentin Elbasan- Metalurgji, teksa ktheheshin nga një darkë familjare në fshatin Përparim të Peqinit, të tre shtetasit u ekzekutuan në prani të familjarëve të tyre, nga breshëri kallashnikovi.
Nga hetimet e kryera nga drejtoria e policisë Elbasan dhe prokuroria e rrethit gjyqësor e këtij qyteti, rezulton se Mikael Qosja i ka ndjekur dhe vëzhguar viktimat nga njësia administrative Papër deri në vendin ku u krye dhe atentati.
Nga verifikimet e kryera rezulton se personi i shpallur në kërkim ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë kjo e verifikuar nga sistemi Tims. Sipas burimeve të Report Tv rezulton se ndaj këtij shtetasi ka prova të mjaftueshme të cilat e lidhin atë me ekzekutimin e trefishtë.
Gjykata e Elbasanit pritet që ditëve në vijm ta shpallë atë në kërkim ndërkombëtar pasi grupi hetimor e vlerëson si të çmuar dëshminë e këtij personi për të hedhur dritë në lidhje me atentatorët që i morën jetën 3 shtetasve.