Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në atë që e ka përshkruar si “veprimtari kriminale të Mefail Shkodrës”.
Shkodra është shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan, që është raportuar më 10 gusht. Sipas Policisë, ai ka të kaluar kriminale.
Përveç Shkodrës, si i dyshuar kryesor, në kërkim janë edhe në dy persona tjerë.
“Në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që drejtoj, kam theksuar dhe kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë. Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se cilat janë motivet e vrasjeve.
Ministria e Drejtësisë është shprehur thellësisht e shqetësuar dhe e tronditur nga ngjarja në Gjilan, duke përmendur faktin se Mefail dhe Edonis Shkodra, të dyshuar për këtë vrasje të trefishtë dhe aktualisht në arrati, kanë qenë më parë në paraburgim dhe janë liruar me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ministria i ka bërë thirrje Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor që t’i nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë qenë në të përfshirë.
“Ky vendim është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, sidomos duke pasur parasysh që të dy të dyshuarit ishin subjekt i hetimeve për vepra të rënda penale si fajdeja dhe detyrimi. Lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale dhe ka prodhuar pasoja tragjike e të pariparueshme”, ka thënë ministria përmes një postimi në Facebook.
Lidhur me këtë rast kanë reaguar edhe zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë, përfshirë presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
“Presidentja kërkon nga organet kompetente që autorët e këtij akti makabër të kapen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë, për t’u përballur me përgjegjësinë e plotë ligjore. Është për keqardhje që vitin e kaluar të njëjtit ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim, përkundër veprave të rënda për të cilat akuzoheshin”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.
Përveç këtyre tri vrasjeve, në Kosovë ka ndodhur edhe një tjetër vrasje po më 10 gusht, veçse në qytetin e Prizrenit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ësht arrestuari i dyshuari dhe që gjatë bastisjes është gjetur edhe thika që dyshohet se është përdorur në rast.
Komente
