TIRANË- Ditën e sotme është ekstraduar nga Kosova drejt Shqipërisë, 46-vjeçari, Indrit Taullai, ish-anëtar i bandës së Durrësit, i shpallur në kërkim nga GJKKO për akuzën e vrasjes me paramendimin e grup të strukturuar kriminal. Ai akuzohet nga SPAK për vrasjen e Klodjan Saliut dhe si organizator për ekzekutimin e Vajdin Lamaj, ngjarje të ndodhura në 26 dhe 27 shkurt të 2005.
“Nga Interpol Tirana është bërë i mundur ekstradimi nga Republika e Kosovës drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar: I. T., 46 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin penal të datës 02.12.2020, i ka vendosur masën “Arrest në burg” për konsumimin e veprave penale "Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal", "Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit, me pasoja të rënda", "Grupi i strukturuar kriminal", "Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, njofton policia.
Taullai u arrestua në Prizren më 6 dhjetor në një qendër tregtare, vetëm 1 ditë pasi ishte futur në territorin e Kosovës, teksa sot u bë i mundur esktradimi i tij drejt Shqipërisë. Më herët, Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lerë pa lëvizur masat e sigurisë për Emiljano Shullazin, Plaurent Dervishaj, Indrit Rusin, Viktor Ymerin, Indrit Taullain, që u arrestuan për dy vrasjet e realizuara. Ndërsa procesi gjyqësor për Lulzim Berishën, nuk është zhvilluar për shkak se policia ende nuk ka mundur ta arrestojë.
Të gjithë këta persona përfshirë dhe bashkëpuntorin e prokurorisë SPAK, Luftar Reçin, akuzohen si ideatorët dhe autorët e vrasjes së Klodian Saliut dhe Vajdin Lames, ngjarje të ndodhura në shkurt të vitit 2005. Në Dubai si i impikuar në këto dy vrasje, u arrestua Plaurent Dervishaj, i cili sapo kishte hipur në një avjon Charter dhe ndodhej në pistë gati për fluturim. I vetmi person që është në kërkim për dy vrasjet e bujshme vazhdon të jetë Lul Berisha.
Ndërkohë, bashkë më Taullain janë ekstraduar edhe Gjergji Çollaku nga Gjermania si dhe Ahmet Isufaj, i cili është dërguar nga Shqipëria në Kosovë.
Indrit Taullai
Njoftimi i plotë i Policisë
Vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për kapjen, arrestimin dhe ekstradimin brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ekstradohen nga Gjermania dhe Kosova, drejt vendit tonë, 2 shtetas shqiptar. Ekstradohet drejt Republikës së Kosovës, një tjetër shtetas shqiptar. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me zyrat homologe, falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit, është bërë i mundur arrestimi dhe më pas ekstradimi drejt vendit tonë i 2 shtetasve shqiptar, si dhe ekstradimin drejt Kosovës i një tjetër shtetasi shqiptar.
U realizua me sukses ekstradimi nga Stuttgart/Gjermani drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar:
Gj. Ç., 56 vjeç, banues në Korçë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 11.09.2019, i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Trafikimi i narkotikëve", "Grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal".
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. Gjithashtu, nga Interpol Tirana është bërë i mundur ekstradimi nga Republika e Kosovës drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar:
I. T., 46 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin penal të datës 02.12.2020, i ka vendosur masën “Arrest në burg” për konsumimin e veprave penale "Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal", "Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit, me pasoja të rënda", "Grupi i strukturuar kriminal", "Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”.
Po nga zyra e ZQK Interpol Tirana, ditën e sotme është finalizuar me sukses ekstradimi drejt Republikës së Kosovës, i shtetasit shqiptar: A. I., 58 vjeç, banues në Fier.
Ky shtetas ishte shoqëruar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, pasi Gjykata e Lartë, me Vendimin e Kolegjit Penal të kësaj gjykate, datë 11.12.2020, ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga ky shtetas ndaj vendimit të datës 23.07.2020 të gjykatës së Apelit Vlorë (me të cilin ishte vendosur lënia në fuqi e vendimit lejues të ekstradimit nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier).
Ky shtetas është ekstraduar drejt Republikës së Kosovës, me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit "Arrest në burg" të vendosur nga Gjykata Themelore Prishtinë, për veprat penale "Krim i organizuar " dhe "Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve".