Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, ngjarje të ndodhura para 17 vite më parë. Të pandehur për dy vrasjet e bujshme të vitit 2005, janë marrë, Lulzim Berisha, Indrit Rusi, Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi dhe Indrit Taullau.
Çështja tashmë ka kaluar për gjykim ku shtetasit e lartpërmendur do përballen me akuzat e Vrasjes me paramendim" kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda", "Grup i strukturuar kriminal", si dhe të "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese", kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Të pandehurit pretenduan gjatë seancës këtë të premte, se dëshmia e Luftar Reçit është e pavërteta. "Janë të pabesueshme dhe nuk ka prova me të cilat ti vërtetojë."
Luftar Reçi, njeriu që me dëshminë e tij i ka dhënë në prokurorinë e posaçme SPAK, i hapi probleme emrave të njohur të botës së krimit në Shqipëri, që veprojnë në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.
Reçi, një i dënuar me 25 vite burgim nga gjykata e Burrelit, për vrasjen e Maksim alias Aleks Lalës, ka treguar në tre rrëfime atë të datës 21 tetor, 31 tetor dhe 26 nëntor 2020, të gjithë veprimtarinë kriminale që ka pasur me Lulzim Berishën dhe anëtarët e tjerë të bandës së tij si dhe të vrasjes së biznesmenit Vajdin Lamaj.