Hetimet për vrasjet e bujshme të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut janë drejt përfundimit në SPAK. Këtë të enjte prokurori i çështjes ka komunikuar akuzat ndaj Lulzim Berishës, Indrit Rusit dhe Viktor Ymerit të cilët priten të merren të pandehur për dy vrasjet e bujshme të vitit 2005. Ndaj tyre SPAK ka ngritur akuzat e "Vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal", “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Nesër pritet që akuzat për këto ngjarje t'i komunikohen edhe personave të tjerë të vënë nën hetim, pra Emiljano Shullazit e Indrit Taullaut. Pas komunikimit të akuzave SPAK pritet që të dalë edhe me një njoftim zyrtar lidhur me përfundimin e hetimeve mbi këtë çështje dhe dërgimin e saj për gjykim në Gjykatën e Posaçme.
Për dy vrasjet e bujshme të 2005, të pandehur janë marrë, Indrit Rusi, Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi, Plarent Dervishaj, Lulzim Berisha, Indrit Taullau dhe Luftar Recin. Në kërkim vijojnë të jenë Dervishaj dhe Berisha. SPAK ka regjistruar çështjen ndaj këtyre personave në tetor të këktij viti dhe në 7 dhjetor Gjykata e Posaçme caktoi ndaj tyre masën e sigurisë arrest me burg në mungesë.
I penduari Luftar Reçi ka dëshmuar se si u përgatit e gjithë ngjarja e ekzekutimit në makinë të Klodjan Saliut në aksin Durrës-Tiranë nga Lul Berisha dhe kunati i tij Plaurent Dervishaj, të cilët ndodhen në kërkim ndërkombëtar. Ndërsa ka treguar se Lul Berisha dhe Emiljano Shullazi kanë bashkëpunuar për të ekzekutuar me tritol C4 Vajdin Lamajn, sipas dëshmisë se të penduarit Luftar Reçi ka qenë Viktor Ymeri, i cili nga burgu ka gjetur personin në llogari të Shullazit që do të kryente këtë ekzekutim.
Për ekzekutimin e tyre operacioni u shtri në tre qytete Tiranë, Vlorë dhe Durrës. Ishte dëshmia e Luftar Recit, njeri prej personave që ka marrë pjesë në këto vrasje ai që pas bashkëpunimit me drejtësinë bëri të mundur zbardhjen e dy krimeve të rënda që 16 vite më parë tronditën vendin.