Viktimat Gramos dhe Vladimir Kurtaj dhe autori Altin Kuka

Kronikë

Vrasja e vëllezërve Kurtaj në Roskovec, Prokuroria e Fierit mbyll hetimet! Dërgon në gjyq 7 persona

26 Shtator, 09:53| Përditesimi: 26 Shtator, 11:03

  • Share

FIER- Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjyq 7 persona pas vrasjes së dy vëllezërve në fshatin Kurjan të Roskovecit. Gramos dhe Lavdimir Kurtaj, u ekzekutuan me automatik nga Altin Kukaj. Ngjarja e rëndë u shënua më 10 shtator 2024 para një lokali të vogël në pronësi të familjes, Kurtaj.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, pak para krimit djali i autorit, Ervis Kukaj ka patur një konflikt fizik me djemtë e Gramoz Kurtaj, si dhe ka qëlluar me pistoletë kundrejt tyre dhe viktimës.

Pas komunikimit telefonik, dy të vëllezërit Ervis Kukaj dhe Emauris Kukaj janë takuar dhe ky i fundit i ka treguar ngjarjen.

Armën e zjarrit, automatik i modelit 56, me të cilën Altin Kukaj ka qëlluar viktimat, Ervis Kukaj e kishte lënë në kasollen përbri pularisë me qëllim për t’i marrë në vijim Emauris Kukaj.

Ky i fundit, pasi ka marrë armën e zjarrit, automatik, ka shkuar në vendin ku ndodheshin viktimat, ka shkuar para lokalit, ka marrë armën dhe ka mbushur karikatorin e saj, duke nxitur babain e tij të qëllonte me breshëri drejt tyre.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.K., Er.K. dhe Em.K për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ parashikuar nga neni 79, gërma ‘dh’ e Kodit Penal si dhe katër persona të tjerë për përkrahje të autorit të krimit e moskallëzim të krimit.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.1375 të vitit 2024, u provua se të pandehurit A.K., Er.K., Em.K., në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kryer vrasjen e shtetasve G.K. e L.K.

Pak para se të ndodhte ngjarja, i pandehuri Er.K. ka patur një konflikt fizik me djemtë e viktimës G.K., si dhe ka qëlluar me pistoletë kundrejt tyre dhe viktimës G.K. Pas komunikimit telefonik dy të pandehurit Em.K. dhe Er.K. janë takuar dhe ky i fundit i ka treguar ngjarjen.

Armën e zjarrit, automatik luftarak i modelit 56, me të cilën i pandehuri A.K. ka qëlluar viktimat G.K. dhe L.K., i pandehuri Er.K. i ka lënë në kasollen përbri pularisë me qëllim për t’i marrë në vijim i pandehuri Em.K. Ky i fundit, pasi ka marrë armën e zjarrit, automatik luftarak, ka shkuar në vendin ku ndodheshin viktimat, ka frenuar menjëherë para lokalit të tyre, ka marrë armën dhe ka mbushur karikatorin e saj, duke nxitur të pandehurin A.K. të qëllojë me breshëri drejt tyre. I pandehuri A.K. ka shtënë ndaj viktimave G.K. dhe L.K. me armën e zjarrit automatik luftarak, të cilën ia mori nga dora të pandehurit Em.K.

Gjithashtu, për të njëjtën ngjarje, Prokuroria ka marrë të pandehur dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes në gjyq të të pandehurve: T.Z., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 302/2 i K.Penal; Y.K..akuzuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga nenet 278, prg. 3 e 4, dhe 280, të Kodit Penal; R.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal; dhe E.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?