ITALI- 43-vjeçari shqiptar në Itali Vladimir Topjana dyshohet të jetë vrarë për motive pronësie, raportojnë mediat italiane. Shqiptari u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së dielës përpara në lokali në Fontanafredda, ndërsa në pranga si autor është vënë 34-vjeçari Rogert Shota nga Fushë-Kruja.
Në pranga është vënë edhe babai i 34-vjeçarit, Pren Shota, pasi ndodhej në automjet me të. Sipas informacioneve, 43-vjeçari kishte dalë me djalin 17-vjeçar për të parë ndeshjen Roma-Juventus dhe teksa po fliste me një të afërm në parkingun e makinave mbërriti një makinë e bardhë.
Ata nisën të debatonin me 43-vjeçarin kur papritur një prej tyre doli nga makina nxori një armë dhe qëlloi në kokë Vladimir Topjanën. Autori tentoi të arratisej me automjet, por u kap më vonë nga policia. Brenda mjetit është gjetur një armë Beretta 7.65, e cila ishte vjedhur gushtin e kaluar në Bagnocavallo (Ravena).
Lokali ku ndodhi ngjarja është shumë i njohur, sidomos gjatë eventeve sportive. Besohet se Topjana e njihte vrasësin, i cili sipas dëshmitarëve, u nis menjëherë drejt tij, pa hezituar, detaj i cili mund të ngre dyshime se nuk ka qenë një sulm të rastësishëm. Nuk përjashtohet edhe larja e hesapeve. Në 2018, Vladimir Topjana rezulton i përfshirë në një konflikt në Fushë Arrëz.
Disa ditë para se të ndodhte ngjarja, Vladimir Topjana kishte qenë në Fushë Arrëz, dhe më pas ka udhëtuar drejt Italisë, atje ku edhe punonte.
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e 43-vjeçarit shqiptar Vladimir Topjana mbrëmjen e së dielës në Fontanafredda në Italisë. Në pranga ranë babë e bir Pren dhe Rogert Shota, 67 dhe 34-vjeç. Ndaj Topjanës qëlloi 34-vjeçari, dhe dyshohet se shkak është bërë një konflikt pronësie në Shqipëri.
Mediat italiane raportojnë se në debat e sipër, 43-vjeçari i ka kafshuar veshin 67-vjeçarit. Më pas debati ka degjeneruar në përdorimin e armës, ku Vladimir Topjana mori dy plumba. Babë e bir më pas u larguan me shpejtësi me një makinë të bardhë, me të cilin kishin mbërritur para lokalit ku ndodhej Topjana.
I ati u kthye në shtëpi, ndërsa 34-vjeçari u ndalua në Veneto, duke kërkuar ndihmë nga punëdhënësi i tij. Ai kishte me vete armën, e cila u gjet e vjedhur nga një shtëpi në Ravenna gushtin e kaluar. Babë e bir janë lënë në burg dhe ndaj tyre rëndon akuza e bashkëpunimit në vrasje me paramendim.
Hetimet janë bazuar në një motiv ekonomik që lidhet me një marrëveshje biznesi në Shqipëri, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë e lidhur edhe me fusha të tjera, përfshirë ato kriminale. Arma, makina dhe rrobat e të përfshirëve janë sekuestruar për hetim. Ndërkohë, hetuesit kanë gjetur mëngjesin e sotëm edhe plumbin e dytë, që kishte mbetur mes hekurave të dritares së lokalit aty pranë ku ndodhi ngjarja.
Një dëshmitar nga lokali aty pranë foli për një debat dhe më pas të shtënat me armë.
"Pashë dy persona duke debatuar me njërin prej tyre, hyra brenda për të kërkuar ndihmë sepse ishte një ndeshje e Juventusit. Kam dëgjuar të shtënat rreth orës 21:15, dy të shtëna”, u shpreh dëshimtari.
Komente
