Presidenti Donald Trump është përfshirë personalisht në çështjen e vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.
Përballë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Donald Trump u shpreh se ai donte të shikonte nëse ekziston një regjistrim audio momentit kur është vrarë gazetari.
Presidenti amerikan i hodhi poshtë zërat se po përpiqet të mbulojë sauditët duke u justifikuar se thjesht po kërkon të zbulojë çfarë ka ndodhur realisht me gazetarin. Nga ana e tyre, autoritetet e Arabisë Saudite mohojnë ta ketë vrarë reporterin kritik të regjimit.
"Washington Post” ndërkohë publikoi shkrimin e fundit të gazetarit të zhdukur, në të cilin, si për ironi, ai fokusohej tek rëndësia e një shtypi të lirë në Lindjen e Mesme.
Gazeta prestigjoze e kishte shtyrë vetë botimin e shkrimit me shpresën se 60-vjeçari do të rikthehej, por tani, thonë drejtues të saj, është e qartë se kjo gjë nuk ka për të ndodhur.
Artikulli është në thelb një shuplakë e fortë për situatën e medias në rajon. Bota arabe, thuhet aty, po përballet me versionin e saj të “Perdes së hekurt”, të vendosur jo vetëm nga aktorët e jashtëm, por edhe nga fuqitë e brendshme të etura për pushtet.
Arabia Saudite është një prej aleatëve më të ngushtë të Uashingtonit dhe zhdukja e Khashoggit e vendos administratën amerikane në një pozicion të delikat dhe të vështirë.
Komente
