Rrëfehet i sëmuri mendor që vrau shitësin e bananeve në Korçë: U zumë për varrin, më bëri të fortin! Me lekë borxh bleva sëpatën dhe e masakrova

30 Janar 2020, 19:47| Përditesimi: 30 Janar 2020, 22:24

  • Share

Dy ditë pas vrasjes tronditëse të shitësit të bananeve në Korçë Dashnor Osmani, dalin detaje të reja, për sa i përket dinamikës dhe shkaqeve që çuan autorin e këtij krimi të rëndë, të kryente një veprim të tillë. Zamir Topi, autori i kësaj vrasje me sëpatë dhe në mes të ditës në qytetin e Korçës, konsiderohet nga komuniteti i zonës si i “çmenduri i Libonikut”, kjo pasi ai kurohej me sëmundjen e “çrregullimeve deluzionale” (probleme mendore). Topi vetëm disa orë pas arrestimit nga policia, ka treguar se banon në fshatin, Pocestë të Libonikut dhe se prej më shumë se 12 vitesh kurohej, nga ana psikologjike në një doktor në Korçë. “…po kam 12 vjet që kurohem tek doktori Landi Lalaj, por emrin e sëmundjes nuk e di të saktë, por di të them se në qoftë se nuk marr mjekimet, dridhem dhe bie në tokë dhe më del shkumë nga goja…”.

Dëshmia tronditëse e autorit të vrasjes së bashkëfshatarit të tij nga Poçesta, Dashnor Osmani është dhënë para një oficeri të policisë gjyqësore, në prani të një avokati dhe babait të vetë Zamirit, Petrit Topi. Zamir Topi, ka rrëfyer se kishte disa vite që kishte hyrë në konflikte verbale me viktimën Dashnor Osmani, pasi ky i fundit e akuzonte herë pas here se i kishte zënë dhe prishur varrin e nënës, në varrezat e fshatit Poçestë të Libonikut. Debatet e ndërsjellata kanë vazhduar gjatë derisa në 28 janar 2020 Zamir Topi, ka qëlluar me një sëpatë në kokë Dashnor Topin, duke i çarë kafkën dhe lënë të vdekur në vend.

Ngjarja e rëndë ndodhi në mes të ditës dhe në syrin e shumë qytetarëve të Korçës. Viktima, Dashnor Osmani ishte duke shitur banane dhe në duar në momentin e goditjes me sëpatë mbante pikërisht disa tufa me banane. Por ja si e tregon vetë në polici autori i krimit ngjarjen e rëndë dhe mënyrën se si ai ka gjetur sëpatën, me të cilën kreu dhe krimin e rëndë. “…pasi debatuam me Dashnorin për punën e dëmtimit të varrit,i kam thënë se ku do ta varros babain kur të vdes unë? Më pas Dashnorit, ia kam kthyer duke i pohuar që mos më dil më përpara dhe jam larguar prej tij. Ndërkohë në 28 janar 2020 rreth orës 14:00 unë e kam parë Dashnorin, duke shitur banane në Korçë dhe ai më ka dalë përpara si i fortë, duke më prerë rrugën por pa më folur asnjë fjalë…”-tregon Zamir Topi.

Pas këtij karshilliku nga ana e Dashnor Osmanit, Zamir Topi, ka shkuar në një dyqan aty afër, ku tregtoheshin vegla pune dhe ka kërkuar të blejë një sepatë. Shitësi i dyqanit, i ka thënë që sëpatat kanë një vlerë prej 6 mijë lekë të vjetra, ndërkohë siç ka treguar në polici vetë Zamiri, ai me vete kishte pasur 4 mijë lekë të vjetra. Për të plotësuar sasinë e lekëve prej 6 mijë lekë të vjetra, Zamir Topi, rezulton që të ketë shkuar në një berber në Korçë, ku ai qethet gjithmonë dhe i ka kërkuar në formën e borxhit, 2 mijë lekë të vjetra, por pa i thënë se përse i duheshin këto lekë.

Pasi ka marë lekët, ka shkuar në ambientet e dyqanit ku ka blerë sëpatën me vlerën prej 6 mijë lekë të vjetra dhe me sopatë në dorë, është afruar pranë vendit ku shiste banane Dashnor Osmani. Rezulton se Zamir Topi, i është afruar dhe pa paralajmërim e ka qëlluar disa herë në kokë me sopatë Osmanin, duke e lënë të vdekur në vend dhe të mbuluar nga një pirg i madh gjaku. Zamir Topi është përpjekur të largohet me vrap por është kapur shumë shpejt nga një patrullë policie në qytetin e Korçës, duke arritur ta neotralizojnë, megjithëse në dorë mbante sopatën e krimit. Policia i ka sekuestruar si provë materiale sopatën me të cilën,Zamiri, vrau Dashnor Osmanin.Ndërkohë ndaj Zamir Topit është ngritur akuza e Vrasjes me paramendim dhe pritet që ditën e nesërme ai të dalë përballë gjykatës së Korçës, port u njohur me masën e sigurisë të arrestit në burg që do kërkojë prokuroria e Korçës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?