Një sirian është gjetur i vdekur në pikën kufitare të Vermicës, ndërsa një 16-vjeçar, po nga Siria është gjetur i plagosur me armë zjarri në Prizren. Mësohet se për të dyja ngjarjet është përdorur e njëjta armë zjarri.
Plagosja ndodhi ditën e djeshme, rreth orës 00:42. Policia e Prizrenit mori njoftim në lidhje me një person të shtrirë para derës së një shtëpie. Kur arritën në vendin e ngjarjes, efektivët e gjetën të shtrirë në tokë dhe të gjakosur. Menjëherë njoftuan ambulancën, të cilët e cuan në spital dhe pas kontrollit u konstatua se kishte një plagë në këmbën e majtë të 16-vjecarit që dyshohet të jetë shkaktuar nga një armë zjarri.
I riu është identifikuar me inicialet K.A., sirian, i cili është dukë marrë ndihmën mjekësore në Spitalin Rajonal në Prizren.
Po ashtu, gjatë ditës së djeshme rreth orës 16:40, në fshatin Vermicë u gjet pa shenja jete një sirian. Sipas dyshimeve të para, të dyja ngjarjet janë të lidhura me njëra-tjetrën pasi pranë trupit të pajetë, u gjet pistoleta e përdorur edhe në plagosjen e 16-vjeçarit, një karikator me gjashtë fishek, një telefon dhe disa gëzhoja.
Vazhdojnë hetimet nga ana e autoriteteve kosovare si dhe ato shqiptare për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.