Foto ilustruese - Sulme kibernetike

Bota

Vrasje të qëllimshme, ndërhyrje në zgjedhje e spiunazh, analiza e DW: Si funksionon lufta hibride e Rusisë! Metodat po bëhen më të sofistikuara

29 Nëntor, 09:43| Përditesimi: 29 Nëntor, 09:47

  • Share

Një aeroplan poste që i përket koncernit gjerman të paketave postare, DHL rrëzohet në Lituani, dy kabllo komunikimi u dëmtuan në Detin Baltik. Në Rumani,  një ekstremist pro-rus i krahut të djathtë arrin çuditërisht deri në balotazhin e zgjedhjeve për presidencën. Të treja njoftimet janë të kësaj jave, gjë që të bën të mendohesh.

Edhe pse asgjë nuk është vërtetuar ende, disa politikanë perëndimorë dhe shërbime sekrete dyshojnë se pas të gjitha këtyre ngjarjeve fshihet e njëjta forcë shtytëse: Rusia.  Rreziqet që vijnë nga e ashtuquajtura "luftë hibride” me origjinë tek Kremlini nuk janë të reja; Por ekspertët paralajmërojnë se ato janë rritur në mënyrë kërcënuese që kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022.

"Lufta hibride" është zgjerimi i operacionit të pastër luftarak me mjete të shtuara të spiunazhit, sabotimit, sulmeve kibernetike, ndërhyrjeve në zgjedhje, propagandës ose fushatave dezinformuese me qëllim dobësimin dhe destabilizimin e armikut nga brenda. Rusia, paralajmërojnë ekspertët, ka zgjeruar vazhdimisht arsenalin e saj të aftësive të luftës hibride në vitet e fundit. Një përmbledhje:

Spiunazhi
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës,  shtetet evropiane kanë dëbuar rreth 500 diplomatë rusë. Shërbimi sekret britanik MI5 klasifikon të paktën 400 prej tyre si spiunë. Në shumë ambasada dhe konsullata të përgjithshme ruse thuhet se është instaluar teknologji moderne e komunikimit dhe spiunazhit. Kjo nuk mund të vërtetohet plotësisht, ndërtesat e ambasadave konsiderohen si territor sovran rus dhe gëzojnë statusin e mbrojtjes diplomatike. Shërbimi sekret holandez paralajmëroi gjithashtu se Rusia po u siguronte spiunëve dokumente false dhe po i kontrabandonte në institucionet perëndimore të maskuar si biznesmenë.

Rregullisht ka njoftime, ku Rusia akuzohet për spiunazh. Qofshin këto bisedimet e përgjuara bisedat e Bundeswehr-it për sistemin e mbrojtjes raketore Taurus, dronët e dyshuar rusë mbi bazat ajrore evropiane dhe zonat industriale apo anijet e supozuara kërkimore që lundrojnë në detet e Evropës Veriore dhe dyshohet se kanë lokalizuar aty infrastrukturën kritike në shtratin e detit për akte të mundshme sabotimi.

Sabotazhi
Javët e kaluara, thuhet se një anije mallrash kineze e drejtuar nga një kapiten rus me gjasë ka dëmtuar dy kabllo nën det me një spirancë të zvarritur përgjatë shtratit të detit. Ky rast i kësaj jave të kujton një incident të ngjashëm në tetor 2023. Muajin e kaluar pati një sulm me zjarr në një magazinë në Londër që ruante ndihma për Ukrainën. Në korrik, një paketë që supozohej të dërgohej me avion shpërtheu në flakë në qendrën logjistike të DHL në Leipzig.

Në këto dhe shumë raste të tjera dyshohet për sabotim rus. Megjithatë, asgjë nuk është vërtetuar ende. Por shërbimet evropiane të inteligjencës paralajmërojnë se numri i akteve të sabotimit dhe zjarrvënieve në BE dhe Britaninë e Madhe është rritur në mënyrë dramatike gjatë vitit të kaluar.

Sulme kibernetike
Zyra Federale për Sigurinë e Informacionit paralajmëron se situata kërcënuese në hapësirën kibernetike është "më e lartë se kurrë". Spiunazhi dhe sabotazhi lulëzojnë në internet. "Para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, grupet sulmuese të lidhura me Rusinë ishin veçanërisht aktive në Gjermani me spiunazh kibernetik dhe sulme të motivuara financiarisht me ransomware. Që nga lufta e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, spektri i kërcënimeve është zgjeruar", thotë BSI.

Për shembull, "numri i sulmeve DDoS nga haktivistët pro-rusë" është rritur ndjeshëm: faqet e internetit ose serverët institucionalë goditen me viruse të dëmshme deri sa arrijnë në atë pikë sa nuk mund të veprohet më për shkak të mbingarkesës. Edhe sulmet e hakerëve që synojnë të depërtojnë në rrjetet e mbrojtura të kompanive apo institucioneve janë gjithashtu në rritje.

Disinformim dhe propagandë
Një fushë tjetër kryesore e veprimtarisë së luftës hibride është përpjekja për të ndikuar në opinionin publik në vendin e vënë në shënjestër. Për këtë qëllim, shpërndahen informacione të rreme dhe narrativa pro-ruse apo anti-ukrainase, qoftë nëpërmjet të ashtuquajturave fabrika trollësh në mediat sociale apo përmes mediave të huaja ruse.

Në fillim të vitit 2024, Ministria e Jashtme zbuloi 50,000 llogari të rreme të përdoruesve që përhapnin raportime të rreme dhe opinione pro-ruse në rrjetet sociale dhe më pas të lidhnin me faqe interneti të rreme, disa prej të cilave ishin shumë të ngjashme me ato të mediave të njohura të lajmeve - veç që edhe aty përhapeshin lajme të rreme.

Ndërhyrja në zgjedhje dhe procese politike
Një qëllim kryesor i këtyre fushatave dezinformuese është të ulin mbështetjen popullore për Ukrainën. Një tjetër është të minojë stabilitetin politik në vendin e synuar (demokratik) duke forcuar partitë ekstreme dhe kandidatët e tyre. Kjo ndodh, për shembull, përmes mbështetjes financiare.

Në prill, inteligjenca çeke zbuloi një faqe interneti propagandistike të quajtur "Zëri i Evropës" që dyshohet se financohej nga Moska dhe që përdorej për t'u paguar ryshfet deputetëve të ndryshëm evropianë. Ndër të tjera, eurodeputeti i AfD-së, Petr Bystron, dyshohet se ka pranuar pagesa të tilla. Ai vetë i mohon akuzat.

Në duzina zgjedhjesh në Evropë dhe Amerikën Veriore dhe Jugore, shërbimet sekrete perëndimore akuzojnë Rusinë për ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në zgjedhje. Transmetuesi i huaj rus RT thuhet se ka prodhuar video gjatë fushatës zgjedhore presidenciale në SHBA mbi tema të diskutueshme në opinion si ndihma për Ukrainën, migracioni apo ekonomia, të cilat nga ana e tyre u shpërndanë nëpërmjet blogerëve të krahut të djathtë amerikan.

Të ashtuquajturat sulme hack-and-leak janë gjithashtu pjesë e repertorit të luftës hibride: politikanët apo partitë hakohen posaçërisht dhe dokumentet konfidenciale, ndonjëherë edhe të përziera me dokumente të tjera të falsifikuara, publikohen pak para zgjedhjeve. Kjo ndodhi, për shembull, në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 ose në fushatën e zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit 2017.

Vrasje të qëllimshme
Vrasjet me qëllim të liderëve nga opozita, janë po ashtu pjesë e luftës hibride. Fakti që presidenti rus Putin nuk i shmanget as sulmeve jashtë vendit, e tregoi edhe vrasja në kopshtin zoologjik në Berlin e një ish-komandanti çeçen, i cili thuhet se ka luftuar kundër Moskës në luftën e dytë çeçene - ose sulmet e kryera në Britaninë e Madhe kundër kritikut të Kremlinit, Alexander Litvinenko në vitin 2006 ose agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia në vitin 2018.

Deri më tani, ishin qytetarët rusë kryesisht viktima të sulmeve të tilla. Megjithatë, në korrik 2024 u bë e ditur se pas një atentati të planifikuar kundër Armin Papperger, drejtorit ekzekutiv të kompanisë gjermane të armëve Rheinmetall, fshihej Rusia. Kremlini i mohoi të gjitha akuzat. Rheinmetall furnizon Ukrainën ndër të tjera me tanke Leopard II.

Çfarë mund të bëhet?
Rusia aktualisht po godet në forma të ndryshme në Evropë, thekson Sönke Marahrens, oficer i Bundeswehr-it dhe ekspert për sigurinë hibride, në një intervistë për tagesschau.de. "Operatorët rusë po provojnë gjëra shumë të ndryshme në shumë vende evropiane që madje bëhen të përshtatura individualisht për secilin vend: masat hibride që funksionojnë në Poloni nuk funksionojnë në Gjermani; ajo që funksionon në Gjermani nuk do të funksiononte në Finlandë." Prandaj, duhet "pritur një spektër shumë i gjerë sulmesh edhe në të ardhmen”, është i bindur Marahrens. Por edhe fleksibiliteti me të cilin duhet të reagohet ndaj sulmeve të tilla duhet të jetë përkatësisht i lartë./ DW

G.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Cipi: 29/11/2024 10:49

    Po ate nord stream 2 qe e sabotuan para ketyre kabujve perse nuk flasin perendimoret ? Nese nje gje nuk shkon si duan amerika dhe larit qe e ndjekin atehere do te gjejne fajtor Rusin apo akuzojne Kinen ne menyre te padrejte . Bota qe ka arritur ne kete pike pabarazie dhe lufterash eshte fale vendeve perendimore qe duan te plackisin pjesen tjeter te botes si kane ber deri me sot por ajo kohe duket se ka ikur

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?