TIRANË- Për deputetin e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, 2 ngjarjet e fundit që kanë tronditur opinionin publik, vrasja në Velipojë dhe aksidentin në aksin Fier-Vlorë, janë pasojat e 25 prillit. I ftuar në emisionin ‘5 pyetje nga Babaramo’, në Report Tv, Albeaj tha se pas zgjedhjeve të ‘vjedhura’ siç ai ka cilësuar 25 prillin, krimi merr pushtetin dhe qeveria është ‘nën drejtimin’ e tij dhe kjo sjell rritje të ngjarjeve kriminale në vend.
“Arsyeja kryesore është fakti që marrëdhënia mes qytetarit dhe shtetit është më e deformuar se kurrë. Fenomeni kriminal është ai që ka filluar dhe po zapton gjithnjë e më tepër terren. Shoqëria shqiptare vjen nga një proces elektoral, dhe kemi parë që në nië situatë kaq delikate të marrëdhënies mes shtetit dhe individ, ato që janë forca kriminale, të njerëzve që drejtohen nga anti-ligjin, marrin më tepër peshë, referencë dhe më të madhe nga pushteti. Arsyeja pse këto 2 ngjarje kanë ndodhur, kanë të bëjnë me faktin që pas episodeve elektorale krimi merr më shumë peshë, kanë lidhje me politikën, pse ndodhi në Velipojë, se njerëz që mund ta zgjidhin konfliktin vetë, pa pasur frikë se shteti dhe ligji mund t’i ndëshkojë, pse se njohin një pushtetar, qeveritar, e njëjta gjë dhe me fatkeqësinë rrugore. Pa bërë ekspertin, se cila ka qenë dinamika, por fenomene të tilla që djemtë lëvizin në mes të bllokut me makina milion lekësh, janë fenomen i shtrembërimit të shoqërisë shqiptare sot. Këto ngjarje tregojnë një gjë që është e lidhur në procese zgjedhore, ka fituar krimi. (...)Fakti që nuk kemi qeveri që merr votën e popullit, duke qenë se e fitojnë pushtetin me të fortë, me administratë, nuk e vrasin mendjen aspak për ato marrëdhënie kontraktuale, për ato marrëdhëniet problemet me qytetarin, shteti është inekzistent, se shteti nuk merakoset aspak”, tha Alibeaj.
Deklaratën e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi sot, Alibeaj tha se nuk tregon gjë tjetër vetëm se papërgjegjshmërinë që e karakterizon këtë qeveri sipas tij, në mandatin e tretë, por jo vetëm. Duke thënë se nuk ishte aspak i suprizuar nga kjo deklaratë, Alibeaj tha se kjo qeveri jo vetëm nuk mban përgjegjësi, por përpiqet që fajin t’ia hedhin të tjerëve.
“Papërgjegjshmëri totale, që e kanë bërë mënyrë sjellje të kësaj qeverie, nuk kanë përgjegjësi dhe ky ishte reagimi, s’kanë përgjegjësi morale, ‘se kështu do hanë kokat e njëri-tjetrit’ ka thënë Rama, është një film i parë prej kohësh. Për ngjarje që kanë potencial për t’u kthyer në ngjarje kriminale, mendoj se ka një detyrim të madh të Policisë, ajo nuk mund të shkojë vetëm të numërojë viktimat, forca parandaluese është zero sot, prandaj nuk më çudit aspak reagimi i ministrit në përgjithësisht. Janë produkte të proceseve zgjedhore që janë të manipuluara, sa herë ka procese të tilla, pushteti kupton që nuk ka marrë votën. Hidhe fajin te të tjerët, kjo është situata e kësaj qeverie“, tha ai.
Akuza ka pasur edhe për Policinë e Shtetit.
“Në 100 metra rrugë të bllokut, gjen me milion euro makina të shtrenjta, ke policë që nderojnë krimin në mes të rrugës, për ta hedhur fajin te të tjerët është e lehtë”, shtoi Alibeaj.
Në ndryshim nga një pjesë e madhe e popullsisë, Alibeaj nuk e sheh problemin te armët e '97, ku një pjesë e mirë e shqiptarëve u armatosën. Problemi sipas tij është te lidhja e fortë e krimit me politikën.
“Nuk është vetëm ekzistenca e armës që sjell pasoja kriminale, arsyeja e fenomenit kriminal është frika ose jo prej ligjit, ka pas kohë pas 1997, nuk është arsyeja te armët e 1997, teknikat dhe armët e përdorura në krimit sot janë të metodës së fundit, me snajper, dron. Nuk ka të bëjë vetëm ekzistenca e armës, është mendja kriminale e njerëzve. Njerëzit shohin që shteti nuk shërben për të zgjidhur konfliktet, se shohin që kanë ato kriminelë dalin nga burgu dhe këtu nuk është çështja ke armë apo jo, për më tepër që trafiku i armëve ka arritur pikun. Deputetët të mos kenë asnjë lidhje me krimin, nga momenti që në perceptimin e tyre përfaqësuesit janë njerëz që nuk kanë lidhje me krimin, elementi dhe opinioni krijohet i fortë se kjo qeveri do luftojë krimin. Vetë krimi nga momenti që sheh se ka distanca me politikën, ka antenat më të kujdesshme për të kuptuar si do jetë sjellja e shtetit, nëse kuptojnë se shteti e ka seriozisht luftën ndaj krimit, do fshehë armët. Kjo është rruga e vetme e çarmatimit të njerëzve. Po e bëmë këtë armët do mbetet muze pastaj”, përfundoi ai.
Shpalljen ‘Non Grata’ të ish- kryeministrit Sali Berisha, deputeti i PD-së i dalë fitues nga zgjedhjet e 25 prillit, Enkelejd Alibeaj e konsideron si një lëvizje politike, pasi sipas tij nuk ka prova dhe fakte.
“Çështja është e zgjidhur, është qartë për këdo, Berisha ka pasur dhe ka bërë lëvizjen propocionale me atë se çfarë ndodhi dhe së dyti ajo se çfarë është çështje, i përket vetëm atij, e ka çuar në çështjen në proces gjyqësor, një lëvizje e zgjuar, për të mbrojtur identitetin e vet dhe për të mos përzier kauzën e PD. Ajo deklaratë e Blinken nuk është gjë tjetër deklarim i natyrës politike, me procedura atë brendshme, nuk e dimë për cilat prova bëhet fjalë. Duhet të dalin prova dhe fakte. Për mua për sa kohë nuk ka të dhëna të aspektit juridik, kjo është një çështje me natyrw politike. Berisha ka qenë kontributori kryesor i Reformës në Drejtësi, që atëherë kur reforma kishte ngërçe, ka qenë Berisha që ka thënë që SPAK të krijohet menjëherë pa u bërë ndryshimet Kushtetuese, për djegjen e mandateve Berisha ka thënë që ‘duhet menduar thellë dhe fortë se ose të jep mbështetje të madhe ndërkombëtare ose jo'. Ka shqisën politike, ka aftësinë për të parë më parë se shumë të tjerë se ku të çon një akt, por nuk kanë qenë influenca në vendimin e Bashës”, tha Alibeaj.
I ftuar në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’, deputeti i PD-së, i shpallur fitues në 25 prill, Enkelejd Alibeaj, ka listuar sipas tij arsyet që kanë çuar demokratët në humbje. Mos organizimi në kohë apo gjetja e elementëve më të mirë për t’u futur në garë, sipas tij, janë motive që kanë ndikuar në humbje. Megjithatë, shton se për këtë PD-ja po bën një analizë të thellë.
“25 prilli nuk është dështim i PD, steka jonë ishte për t’u bërw Basha kryeministër, tundime gjatë fushatave zgjedhore ka pasur kushdo, pra pse të mos gjenim dhe ne ca të fortë apo të mos përdornim disa para, apo teknika anti-ligjore të manipulimit të votave. Kjo është ndarja e hollë mes moralit të hollë politik dhe pragmatizmit. A mund të kishim bërë më tepër, ndoshta, jemi në proces analizimi, të kishim gjetur element më të mirë, a e nisëm organizimin me vonesë, po e analizojmë, ishte një performancë e mirë e jona, e pamjaftueshme”, tha ai në Report Tv.