Në 25 vitet e mia si gazetar më ka rënë të mbulojë ngjarje nga më të rëndat që kanë ndodhur në Shqipëri. Nuk më shqiten ende nga mendja krime që as imagjinata më e sëmurë, e më devijante nuk mund të kishte për krime më makabre, më perverse e më të pështirë njëkohësisht. Dhe të imagjinosh që për këto krime monstruoze më është dashur të shkoj në vendngjarje, të shikoja skena të llahtarshme, të përjetoja dhimbjen e të afërmve të viktimave, të merrja të dhëna dhe pas kësaj të kisha edhe qetësinë që këto histori ti shkruaja në gazetë për t’ia përcjellë publikut. Jam tronditur kur në vitin 1998 në maternitetin e Tiranës disa nënave u thoshin se bebja u kishte vdekur gjatë lindjes, por arkivolet që i dërgonin në varreza rezultonin se ishin bosh. Jam tronditur kur në shkurt të vitit 1999 një studente nga Vlora e gjetën të masakruar me gurë në kokë në qytetin “Studenti” në Tiranë. Jam tronditur akoma më shumë kur në vitin 2000 në Rromanat të Durrësit gjetën të copëtuar trupin e Erieta Avdylit, një punonjëse të UNICEF. Jam tronditur akoma më shumë kur në vitin 2003 një grua në Devoll vrau një fëmijë dhe kufomën e hodhi në pusin e ujit. Për të mos shtuar tronditjet kur kam mbuluar sa e sa ngjarje të tjera kur babai ka vrarë djalin, vajzën, gruan, apo të tjera kur nusja vret vjehrrën më vaj të nxehtë në vesh e deri te ata vrasës serialë apo edhe vrasje e masakra disafishe. Vrasja më 16 nëntor e 8-vjeçarit në Fier ishte akoma më e paimagjinueshme dhe e rëndë, jo vetëm për moshën e viktimës, mënyrën makrabe që është kryer krimi, fshehjen e kufomës duke e groposur, por edhe për qetësinë tipike të një krimineli që ka mbajtur pas zbulimit të krimit. Nuk besoj se është dikush që nuk është tronditur kur e ka mësuar. Personalisht përjetimet e mia kur mbuloja ngjarje të këtij lloji e zgjidhja përherë kur sa herë e përfundoja shkrimin mundohesha të mbyllja si me çelës në mendjen time gjithçka që kisha përjetuar. Besoj kështu ndodh kjo me gazetërët e kronikës së zezë por edhe shefat e tyre që i drejtojnë dhe udhëzojnë. E megjithatë kjo sprovë është shumë e vështirë se përjetime të tilla jo vetëm të trishtojnë, por të krijojnë superhabi për faktin se si mund të vrasë njeriu kështu. Nga buron kjo dhunë shtazarake? Nga buron kjo urrejtje? Përse shqiptari jo vetëm vret, por vret si në Mesjetë me prerje koke, me përçudnim të trupit? Ka edhe nga ata gazetarë që nuk e kanë përballuar dot dhe kanë hequr dorë. Asnjëherë nuk arrija të kuptoja arsyet e këtyre akteve, pasionin e vrasësve jo vetëm për të vrarë por edhe për të masakruar trupin e viktimës në atë mënyrë që vetëm një i sëmurë mendor në gjendje të rëndë mund ta bënte. Shpesh kjo më krijonte mendimin se shoqëria jonë është e sëmurë bash ashtu siç e thoshte shqiptari i madh At Zef Pllumi se “këtij populli duhet t’i ndërrohet truni”. Akoma më i sëmurë më dukej truni i këtij populli kur intervistoja banorët e zonës ku kishte ndodhur krimi. Turma të tëra që bërtisnin “të varet prej gjuhe”, “Të varet në mes të fshatit”, “Ti pritet koka”, “Ta djegim me benzinë”, “T’ia bëjmë mishin copa-copa”. Përherë mua këta më dukeshin edhe më të sëmurë se vrasësi. Më dukeshin si pikërisht se mentaliteti i varjes prej gjuhe të një komuniteti kishte pjesën e vet vrasëse te monstra. Po cili është konkluzioni në të tilla situate kur në një komunitet zbulohet një vrasje makabre dhe pas kësaj komunitetit është gati të bëjë një vrasje akoma më të rëndë dhe makabre ndaj autorit? Personalisht mendoj se nuk ka asnjë dyshim që të gjithë fajin për atë që ndodh e ka vetë shoqëria jonë, askush tjetër. Nuk e ka as Rama, as Basha, as Berisha e as Meta. Në një shoqëri që pjell të tillë monstra nuk mund të jetë duarlarë. Cfarë është ky lloj vrasësi dhe çfarë përfaqëson ai? Pa dyshim që më parë ky vrasës ka qenë një devijues nga një njeri dhe qytetar normal. Përpara se të bënte vrasjen, ai ka qenë në rrugë, në lagje, në fshat dhe në qytetin tonë dhe ka jetuar mes nesh. Dhe “karriera” tij nuk nisi papritur me këtë vrasje. Afërmendsh që ai e ka nisur aktivitetin e tij nga krime më të thjeshta, më të lehta deri sa arriti te makabriteti. Është pikërisht ky vrasës që na ka kaluar përpara syve teksa ka shkelur semaforin me të kuqe dhe ka përplasur kalimtarët e pavarësisht kësaj ai e kaloi këtë ngjarje duke bërë pak burg dhe pak gjobë dhe askush nuk foli. Është pikërisht ky vrasës që ka ndotur ambjentin, ka hedhur plehrat në rrugë, ka ndërtuar pa leje dhe askush nuk i ka thënë një fjalë, lëre për dënime. Është pikërisht ky vrasës që nuk ka bërë një jetë komunitare me rregulla qytetare, por secili në komunitet ka thenë “ç’më duhet mua të merrem me të”. Është pikërisht ky vrasës që dikur ka vjedhur në dyqane e banesa dhe ia ka hedhur me pak burg dhe pasi ka dalë ia ka nisur përherë nga e para por askush nuk ka reaguar. Është pikërisht ky vrasës që ka rrahur gruan dhe fëmijët dhe askush në lagje nuk është përzjerë në “punët e brendshme të familjes së tij”. Janë këto krime të vogla që një ditë u zmadhuan në një vrasje makrabre dhe ne që papritur pothuajse habitemi përse ndodhi krimi i madh. Edhe ndonjë syresh që ka marrë guximin të telefonojë policinë është zhgënjyer sepse një prej policëve më parë lajmëroi autorin se kush e denoncoi në vend të merrej me të. Pasi e mëson këtë komuniteti as që e merr mundimin të përsërisë denoncime të këtij lloji. Dhe të gjithë heshtin duke krijuar një rreth heshtje duke e kthyer në kodin moral të gjithë shoqërisë sonë. Çudia është se ky komunitet që heshti, nuk foli, nuk denoncoi, kur e pa duke bërë ato krimet e vogla pasi ka bërë këtë krimin e madh ulëret dhe kërkon të varet nga gjuha. Ky është nonsens. Kjo shoqëri është po aq fajtore sa monstra vetë. Përpara se të kërkojnë këtë hakmarrje horror për vrasësin ata hakmarrës me varje prej gjuhe duhet të ishin treguar më qyetarë duke e denoncuar atë në çdo hap të jetës. Te polici, te inspektori i zonës, te deputeti i zonës, te familja te lagja. Nëse do ishte bërë kjo nga të gjithë, sigurisht nuk do kishim arritur te ai krim dhe sigurisht që nuk do kërkonim varjen prej gjuhe. Por kjo është shoqëria jonë dhe duhet ta pranojmë që ne dhe ajo jemi fajtorë.
DËNIMI ME VDEKJE I DËNIMIT ME VDEKJE
Pak e dinë që nga viti 1990 deri në vitin 1995 në Shqiëpri janë ekzekutuar 20 persona me vendim gjykate. Në fakt gjykatat kishin dhënë 34 vendime me vdekje por 14 prej tyre janë falur nga presidenti i asaj kohe Sali Berisha duke ua konvertuar dënimin në 25 vjet burg. Shqiptari i fundit i ekzekutuar nga shteti me vendim gjykate i takon datës 15 mars 1995. Po a ishte në atë kohë zgjidhje dënimi me vdekje dhe a është zgjidhje sot? Po paraqes një tabelë të numrit të vrasjeve për çdo vit kalendarik në harkun kohor të 5 viteve kur dënimi me vdekje jo vetëm ishte në fuqi por edhe zbatohej. Numri i të vrarëve rezulton më të lartë se në çdo periudhë tjetër në vend. Në këtë periudhë numri i të vrarërve në një vit është mesatarisht 200 ndërsa sot numri i të vrarëve në një vit mesatarisht shkon 50. Pra arsyetimi se dënimi me vdekje ul numrin e vrasjeve bie.
VITI 1990/129 të vrarë
VITI 1991/205 të vrarë
VITI 1992/251 të vrarë
VITI 1993/268 të vrarë
VITI 1994/265 të vrarë
VITI 1995/210 të vrarë
Sa herë që në Shqipëri ka ngjarje të rënda nis diskutimi dhe debati për dënimin me vdekje. Edhe ditët e fundit me të drejtën e dhimbjes së madhe shumë persona kërkojnë kthimin e këtij vendimi. Shkruaja edhe vetë dikur me aq pathos, por më ra entuziasmi sapo jo nga kushti i KE-së dhe BE-së u binda me shifra që nuk është zgjidhja kjo por gjithçka nis nga forcimi i sistemit të drejtësisë. Nga janari deri më sot në SHBA janë ekzekutuar 10 persona si autorë të krimeve të rënda, ndërkohë që në fillim të dhjetorit pritet të ekzekutohet personi i 11-të. I fundit që u ekzekutua ndodhi më 17 nëntor në shtetin e Missisippit. 50-vjeçarit David Neal Sox iu bë një injeksion helmues pas dënimit që kishte marrë për vrasjen e gruas dhe përdhunimit të njerkës në vitin 2010. Në këtë shtet ekzekutimi i fundit kishte ndodhur në vitin 2012. Ndërkohë Guvernatori Kevin Stitt i Oklahomas anuloi më 18 nëntor ekzekutimin e një të burgosuri të dënuar me vdekje vetëm disa orë përpara se sa ishte planifikaur të vdiste me injeksion vdekjeprurës, pas një fushate një fushatë të jashtëzakonshme nga njerëz të famshëm, kolegë të tij konservatorë dhe udhëheqës të krishterë që kërkonin mëshirë. A e ka zgjidhur SHBA me vrasjen? Statistikat edhe atje thonë jo. 2.5 milionë amerikanë ndodhet në burgje për krime nga më të ndryshmet dhe vrasjet nuk kanë njohur ulje në ato shtete ku dënimi me vdekje është ende në fuqi. Për të mos shkuar te problem tjetër se në 200 vite të dënimit më vdekje në SHBA, janë 200 ekzekutime që kanë rezultuar se janë kryer gabimisht. Sa e sa amerikanë të ekzekutuar në emër të shtetit kanë rezultuar që kanë marrë dënimin kapital për faj të gjykatësve, prokurorëve dhe policëve. Imagjinoni pak sikur kjo të ndodhte në Shqipëri. Ka studime profesionalë se zgjidhja është rehabilitimi i atyre që janë në burg. Një i dënuar kur del nga burgu është më i rrezikshëm se sa kur ishte në burg. Por me të drejtë disa bëjnë edhe kundërshtimet e tyre edhe me situatën që kemi me numrin e krimeve me numrin e të dënuarëve për këto krime. Fjala vjen, nga viti 1990 deri më sot në Shqipëri janë vrarë afër 7 mijë persona, ndërkohë në burg të dënuar me burgim të përjetshëm janë 140 persona. Ky është një shpërpjetim. Pra, ne këmi në burg vrasës që janë dënuar me pak vite për të mos thënë që shumica që kanë bërë vrasje kanë dalë nga burgu. Atëherë drejtësua nuk ka funksionuar. Në këtë mënyrë, përpara kërkesës për dënimin me vdekje të dënimit me vdekje ne duhet të forcojmë drejtësinë. Kjo është thembra e Akilit për sëmundjen tonë.
TË SËMURËT E RRUGËS
Kush e frekuenton Parkun e Madh nga liqeni në Tiranë padyshim që i është bërë normale të shikoj pothuajse çdo ditë një djalë rreth të 35-tave që ulëret, bërtet, shan me fjalor stadiumi disa emra që i njeh vetëm ai. Kush e ka dëgjuar për herë të parë është tmerruar. Por i është bërë normale kur kjo ka ndodhur për herë të tretë e të katërt. Për secilin që e kupton që është i sëmurë ndjen një keqardhje, por ai duket sikur është në punën e vet. Fatkeqësia e tij është se ai është i sëmurë por ama është i lirë të bëjë çtë dojë në një ambjent nga më të frekuentuarit në kryeqytet. Sa herë që e shoh ndjej keqardhje dhe besoj si unë edhe shumë të tjerë. Por a ndjehen të sigurtë? Një i sëmurë mendërisht është i paparashikueshëm. Andej dalin gra, fëmijë, pleq e plaka, në grup por edhe të vetmuar. Sikur në një moment ato shpërthime fjalësh e të sharash të shndërrohen në sulm fizik ç’mund të ndodhë? Dhe si ky ka jo pak në rrugët e Tiranës. Pothuajse në çdo rrugë, në çdo lagje dhe ambjente publike ka të tillë në çdo orë të ditës. Një i ri me një shkop në dorë të rrethuar me disa lecka të kalon për ditë afër atyre që shkojnë dhe kthehen nga puna. Një tjetër që nuk është lypës por të zë rrugën dhe të kërkon frikshëm 100 lekë. Një tjetër akoma që këndon me zë të lartë baritor “Felicita” të Albanos dhe një tjetër që riprodhon edicionet e lajmeve. Janë fatkeqë për sëmundjen e tyre por ama janë një bombë shpërthyese që mund të shkaktojnë pasoja të paparashikueshme. Dhe institucionet e shtetit i lënë mes njerëzve normalë sikur edhe ata të jenë normalë. Në fakt ata janë potencial i mundshëm për ngjarje kriminale që kanë ndodhur jo pak në Tiranë dhe qytete të tjera. Shteti në mënyrë urgjente duhet jo vetëm ti identifikojë këta persona por të gjejë rrugët më të mira jo për ti izoluar por për të krijuar kushte për ta, të mjekohen dhe socializohen, por jo ama duke i lënë në mes të komunitetit.
MEDIA DHE DETAJET E KRIMEVE MONSTRUOZE
Së pari dua të kërkoj vetë ndjesë për momente që edhe vetë bashkë me kolegë të mi kemi gabuar në lidhje me pasqyrimin e ngjarjeve të rënda. 25 vjet më parë nuk kishim asnjë përvojë e as model. Kishim vetëm njohuritë dhe etikën tonë. Ja kemi dalë në shumë raste të ruajmë etikën gazetareske, por edhe kemi gabuar duke publikuar në gazetë emra, foto dhe detaje të makabriteteve. Por ama asnjëherë këtë nuk e kemi bërë me qëllim. Por të dëgjosh sot disa syresh që ç’nuk kanë bërë e ç’nuk kanë publikuar dhe sot bëjnë kritikun, kjo është e turpshme. E turpshme është akoma më shumë që japin mend për gazetarët e kronikës së zezë disa që nuk e mbajnë mend se sa dekada ka që kanë qenë për herë të fundit në terren dhe kanë marrë rrogën nga puna e gazetëreve të terrenit sepse vetë kanë qenë strukur në redaksi. Kur shikoj një tip që ç’nuk ka shkruar e botuar vite më parë për krimet e rënda dhe tani e zë meraku se disa gazetarë të rinj japin detaje nga vendngjarja më vjen pështirë. Turp për be! Mos! Ju vetëm ju mos hapni gojën. Ai apo ajo gazetarja atje në terren ndodhet atje ku ka ndodhur ngjarja, po punon, po informon publikun dhe bën atë në mënyrë që ti ta mësosh se ç’po ndodh o analist pambuku që nuk di se çfarë është vendngjarja, terreni, policia, viktima e përballja me të afërmit e viktimave. Ndërsa ti që nuk bën asgjë jep mend nga zyra me kondicioner. Për etikën duhet të flasin ata që janë atje në terren, gazetarë të rinj e të vjetër qofshin, e jo ju. Sigrisht që media duhet të jetë e kujdesshme. Dhe shpesh edhe duhet gjykuar për kapërcime dhe shkelje të etikës. U vranë 3 mijë amerikanë nga rrëzimi i kullave binjake më 11 shtator 2001 por nuk pamë as gjak e as të vdekur, as trupa, as eshtra. Ky është leksioni model se si mbulohet një ngjarje në aspektin etik. Një detaj tjetër është se Shqipëria jonë ka vuajtur dhe vuan nga fshehja e krimeve. Poooo e madhe madje. Deri në 1990 sa e sa vrasje, plagosje, dhunime e përdhunime kanë ndodhur dhe nuk janë publikuar. Në arkiva kam lexuar me dhjetra raporte për krime të ndodhura dhe që nuk merrej kush po fshiheshin nga mekanizmat e regjimit të asaj kohe. Pas vitit 1990 po ashtu. Media ka meritën që një pjesë të krimeve i ka zbuluar ajo. E them pasi e kam përsëritur cdo gazetar i kronikës së zezë minimumi e ka një ngjarje në karrierën e vete që ka meritën që e ka zbuluar ai. Nuk është pak kjo. Pea më mirë një media me abuzime se sa abuzime pa media fare.
10 KRIMET MË MONSTRUOZE NGA VITI 1990 E DERI MË SOT
1. 29 MAJ 1992. Në Libofshë të Fierit dy vëllezërit Çuko, Ditbardh dhe Josif Çuko, grabitën dhe vranë 5 pjestarët e familjes Pupa duke përfshirë edhe foshnjen 6 muajshe. Hetimi u bë i shpejtë dhe i plotë, brenda katër ditëve çështja penale iu dërgua për gjykim Gjykatës së Rrethit, e cila i dënoi dy autorët me vdekje, varje në litar në mes të qytetit të Fierit.
2. 19 SHKURT 1999. Në qytetin “Studenti” në Tiranë, u gjet e masakruar me gur në kokë studenta 21-vjeçare Kozeta Hyseni, e fakultetit Histori Filologji.
3. 13 MAJ 2000. Gjendet në fshatin Rromanat në Durrës trupi gjysmë i dekompozuar i Erieta Avdylit, punonjëse e UNICEF nga Tirana. U dyshua se vrasësi i saj ishte bashkëshorti i cili edhe u arrestua por më pas u lirua dhe vrasja mbeti pa autor.
4. 28 JANAR 2002. Sadik Kuniqi në Shkodër i shkoi në shtëpi mikut të tij Isuf Sula dhe në befasi vrau atë dhe të shoqen e tij Sadeten. Pas kësaj vrasje Kuniqi telefonoi edhe vajzat e viktimave të tij të cilat ishin strehuar te xhaxhai i tyre duke u thënë se ishte çështje kohe edhe ekzekutimi i tyre. Dy muaj më vonë në mars të vitit 2002 Kuniqi bën një tjetër goditje. Ai shkoi në shtëpinë e një tjetër miku të tij, Çesk Simonit, në shtëpi gjeti gruan e Çeskut, Mirën sëbashku me djalin e saj 3 vjeç Xhekun. Kuniqi plagosi rëndë gruan e mikut të tij dhe më pas u fut në dhomën e djalit të vogël dhe e theri.
5. 4 SHTATOR 2003. Liljana Mulliri nga Devolli vrau dhe hodhi në pus nipin e mitur të të dashurit të saj. Ajo u dënua me 25 vite burg pasi pranoi fajin për vrasjen e Alberto Xhihanit.
6. 9 SHKURT 2006. Në fshatin Kozarë të Kucovës, gjenden të pa jetë në banesën e tyre tre pjesëtarët e një familje, kryefamiljari, gruaja e tij shtatëzanë dhe djali i tyre 3-vjeçar. Për këtë krim është arrestuar vëllai i viktimës.
7. 16 MARS 2013. Ardian Përrenjasi u kap në mars të vitit 2013 pasi kishte rrëmbyer dhe abuzuar me një fëmijë 10-vjeçar në zonën e Laprakës në Tiranë. Ai pranoi të ishte autori i rrëmbimit edhe të fëmijës Julian Cela, të cilin pranoi se e ka vrarë.
8. 23 MARS 2014. Në Kurbin një nënë 45-vjeçare vret të bijën 15-vjeçare dhe më pas vret veten. Sipas të dhënave, e ema ka patur si motiv për ta penguar vajzën të shkojë në eskursion me klasën por edhe për një lidhje dashurie të saj.
9. 17 GUSHT 2016. Jorgo Zani rrëmbeu nipin e tij Andrea Zani. 12-vjecari ishe kthyer nga Greqia për të pushuar tek gjyshërit e tij në Palasë të Vlorës. Krimi ishte makabër. I sëmuri mendor Jorgo Zani i preu kokën dhe bëri xhiro në fshat. Dy vjet më pas u vetëvra duke u hedhur nga tarraca e burgut.
10. 16 NËNTOR 2021. Mateo Vasiu, një 8-vjeçar nga fshati Greçalli i Fierit është goditur me lopatë në kokë nga fqinji i tij Klodian Çalamani. Pasi e ka vrarë, Çalamani e groposi të miturin në oborrin e shtëpisë së tij./ Gazeta "Fjala"