I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani është shoqëruar nga oficerët e BKH për të shkuar në ‘strofkat’ e porositësve ku zhvilloheshin takimet dhe merreshin porositë për vrasjet me pagesë. Dumani është çuar në disa pika takimi të personazheve të botës së krimit në Tiranë, Durrës, Rrogozhinë dhe Elbasan, mëson gazetari Elton Qyno.
I shoqëruar nga oficerët e BKH dhe Policisë së Shtetit, Dumani ka shkuar në zonën e Papërit duke treguar momentin kur do të kryente atentatin ndaj të shumëkërkuarit Talo Çela, të cilin e ka pasur bashkëpunëtor për shumë vrasje por u kthyen në armiq. Ai ka zbuluar edhe trajektoren e lëvizjes, vendin e dorëzimit të një automatiku kallashnikov tek një person që mbërriti atë ditë nga Elbasani në Papër.
Po ashtu ka treguar pallatin në Elbasan ku ka zhvilluar takim me Erjon Alibejn dhe Arjan Spahinë, me të cilët ka lidhur marrëveshje për ekzekutimin e 7 personave. Oficerët panë nga afër edhe shtëpinë e braktisur në Krastë, ku Dumani ka diskutuar planin për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit me Florenc Capjan, Bledar Mucën dhe Ervis Caushollin.
Nuredin Dumani, i ka treguar SPAK dhe pikat e takimit që ka bërë me disa personazhe në Tiranë, ku një ndër to është lokali ku është takuar me Festim Qolin dhe avokatin Alban Bengasi. Një tjetër vend ku Dumani ka cuar SPAK është hyrja e një garazhdi në Durrës, ku siç pretendon ai, së bashku me Talo Çelën kanë kryer vrasje për llogari të Festim Qolit, Fatmira Dedaj, nënën e Ervis Dedaj.
Në kuadër të operacionit 'Plumbi i Artë', i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, së bashku me Henrik Hoxhajn nga qelia zbërthyen vrasjet nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-shin, për të cilat Shqiptarja.com dhe Report Tv siguruan dosjen.