SHKODËR - Ragip Gila, që shkaktoi masakrën në Shkodër me dy të vrarë e dy të plagosur u njoh këtë të enjte në gjykatën e Shkodrës me masën e sigurisë. Prokurori, Pjerin Çukaj i komunikoi 4 akuza të rënda: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”,”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjyqtarja Ermira Dedaj caktoi masën arrest me burg pa afat. Përballë togave të zeza Ragip Gila vendosi të heshtë, ndërsa më herët, në dëshminë para hetuesve, ka pranuar se shënjestra e tij ishte 44-vjeçari Erogen Vaso alias Bajroviç, i cili mbeti i plagosur në atentat. Në seancë, nuk kishte pajtuar avokat, kësisoj 29-vjecari u mbrojt nga avokati i caktuar nga shteti Agim Martini.
Atentati tronditi Shkodrën mëngjesin e së hënës, ku Ragip Gila, 29-vjeç, i armatosur me një pistoletë dhe një “Scorpion”, i veshur me antiplumb hyri në lokal, në qendër të qytetit dhe qëlloi me breshëri në drejtim të tavolinës ku ishte ulur Erogen Brajoviç, i njohur si anëtar i fisit të Bajrave. Brajovic mbeti i plagosur, ndërsa truproja i tij, Liridon Kraja, dhe Armando Pali, humbën jetën. Kamerierja 25-vjeçare Meri Kaceri mbeti gjithashtu e plagosur aksidentalisht.
Gila mbërriti para lokalit me motoçikletë dhe u largua duke grabitur nje “BMW” por arratia mori fund brenda ditës. Ai u kap pranë lumit Kir dhe pranoi se shënjestra e tij ishte vetëm Brajovic. Hetuesit dyshojnë se atentati mund të ketë motive hakmarrjeje, duke marrë parasysh konfliktet e mëparshme mes fisit të Bajrave dhe fisit të Licit, në shtëpinë e të cilëve janë gjetur armë gjatë kontrolleve.
Komente
