Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka folur për mediat serbe mbi masakrën e ndodhur ditën e sotme në një shkollë të Beogradit ku një 14 vjeçar vrau me armë zjarri 8 bashkëmoshatarë dhe rojen e sigurisë.
Vuçiç tha se i mituri ishte ndër nxënësit më të mirë por ishte shmangur nga pjesa më e madhe e shokëve të klasës. Presidenti serb shprehet se prindërit i kërkonin 14 vjeçarit vetëm rezultate të mira në shkollë dhe ky i fundit nisi të binte nga mësimet pas një pëlqimi që kishte pasur për një vajzë.
Ndërsa pasi nuk arriti të përshtatej në klasën e re ku u transferua, vendosi të kryejë aktin e rëndë.
“Ai ishte nxënësi më i mirë dhe të gjithë e shmangnin. Kërkoi një transferim ku kishte tre shokë dhe ia doli mirë. Prindërit i kërkonin vetëm rezultate të mira në shkollë. Dhe rezultate disi më të dobëta kishte vetëm kur ishte i dashuruar. Ai nuk ia doli mbanë as në klasën e re dhe vendosi të bënte një akt monstruoz”, tha ai, duke shtuar se nxënësi “ka qenë tre herë me të atin në poligonin e qitjes”, shtoi Vuçiç.
“U gjetën 57 gëzhoja dhe gjashtë fishekë. Katër korniza me nga 18 plumba”, tha presidenti i Serbisë duke theksuar se babai i sulmuesit është anëtar nderi i poligonit të qitjes.
Vuçiç propozoi gjithashtu futjen e testeve të detyrueshme të drogës në shkollat e mesme çdo gjashtë muaj. Ai sugjeroi gjithashtu që Qeveria e Serbisë të ndalojë aksesin në faqen e internetit të "rrjetit të errët" dhe vende të tjera ku të miturit mund të shohin se si shiten vrasjet apo drogat, si dhe të vendosë ekipe speciale për dhunën e bashkëmoshatarëve brenda qendrave të punës sociale.
Lajmi kryesor:
Masakër në Beograd, 14-vjeçari vret 8 nxënës dhe rojen e sigurisë! Serbia shpall tre ditë zie! Vuçiç: Shkak refuzimi që i bëhej nga bashkëmoshatarët
B.V/ReportTv.al