Vrau Arben Lleshin në burgun e Peqinit, Sokol Mjacaj drejt zbulimit të porositësve! Merret në pyetje në policinë e Elbasanit

19 Janar, 11:55| Përditesimi: 19 Janar, 14:56

  • Share

I dënuari përjetë Sokol Mjacaj që ekzekutoi Arben Lleshin brenda burgut të sigurisë së lartë në Peqin dhe plagosi Indrit Shaqjen, është marrë në pyetje për rreth 3 orë nga grupi hetimor në lidhje me ngjarjen e rëndë, bëjnë me dije burime për Report Tv.

28-vjeçari është transportuar në masa të forta sigurie nga burgu i Peqinit, për në drejtorinë e Policisë, ku hetuesit kanë shpresë se Mjacaj, do të rrëfejë se kush e pagoi për të vrarë Arben Lleshin, gjithashtu i dënuar përjetë për vrasje. Burime nga grupi hetimor thanë për Report Tv se Mjacaj ka dhënë informacione të rëndësishme që mund të çojnë drejt zbardhjes së porositësve, por edhe të personave të përfshirë në zhveshjen nga siguria të burgut të Peqinit.

Sokol Mjacaj sakaq ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme vendimin për izolimin e tij në regjimin “41 Biss”.

Më 15 dhjetor 2023, rreth orës 13.20, ministri i drejtësisë Ulsi Manja bëri publik vendimin për izolimin e Sokol Mjacajt në sistemin 41 Biss, pasi kishte të dhëna se komunikonte me jashtë dhe vazhdonte aktivitetin kriminal nga qelia.

Por pasi mësoi këtë lajm, Sokol Mjacaj hyri në veprim në burgun e Peqinit, duke marrë armën me mulli me të cilën u afrua tek qelia ku ndodheshej i dënuari për vrasje Arben Lleshi. Ai thirri në emër të dënuarin të cilin e qëlloi me dy plumba duke lënë të plagosur edhe shokun e qelisë Indrit Shaqja.

Mjacaj, i dënuar përjetë për vrasjen e dy turistëve çek në 2015 në Prekal të Malësisë së Madhe, dorëzoi armën dhe u arrestua një orë pas ngjarjes, në prani të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve. Vrasja dyshohet se u krye me pagesë, për hakmarrje dhe shkaktoi arrestimin e drejtorit të burgut, shefit të policisë dhe 10 punonjësve të sigurisë.

Gjykata e Elbasanit i komunikoi Mjacajt një masë të re arresti, kurse Prokuroria e Elbasanit ngriti akuzë për të dënuarin e dytë Indrit Shaqja, me dyshimet se është përfshirë në vrasjen e Arben Lleshit pas Sokol Mjacajt. Ka dyshime që Indrit Shaqja që mbeti i plagosur edhe vetë nga të shtënat me armë zjarri të ketë qenë përfshirë në planin e Mjacajt.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?