Autori Petrit Mamaj dhe viktima Valdete Mamaj

Fier/ Vrau bashkëshorten me thikë, gjykata lë në burg 56-vjeçarin! Avokati: Autori pretendon se gruaja i ka bërë një gjilpërë në gjumë për ta vrarë

9 Shkurt 2022, 15:48| Përditesimi: 9 Shkurt 2022, 16:17

  • Share

Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë 'arrest me burg' për 56-vjeçarin Petrit Mamaj, i cili një ditë më parë vrau me thikë bashkëshorten në lagjen 'Sheq i Madh' në Fier. Lidhur me vendimin e gjykatës, ka foluar edhe avokati i Petrit Mamajt. Kastriot Dyrmishaj, tha se klienti i tij e ka pranuar krimin ndërsa shtoi se autori ka dhënë shpjegime se përse e ka kryer vrasjen.

Sipas avokatit, Mamaj ka thënë se marrëdhëniet e tij familjare kanë qenë të acaruara ndërsa pretendon se bashkëshortja me një të afërt i kanë bërë një gjilpërë në gjumë për ta vrarë pak kohë më parë.

"Ishte i tronditur prej vitesh nga raportet familjare. Pretendonte se një muaj më parë gruaja me një të afërt i kanë bërë një gjilpërë kur ishte në gjumë, për ta vrarë. Këtë motiv e ka sqaruar. Kërkesa e prokurorit ishte e drejtë. Vrasja e djeshme ka ndikuar në opinionin publik dhe ka indinjuar të gjitha familjet. Unë sot në rolin e avokatit, unë e kam pasur komshi. Si çdo familje, por ishte i paekuilibruar."-tha avokati Dyrmishaj.

Ndërsa i pyetur për pretendimet e para të autorit se gruaja ka vrarë veten, avokati tha se në mëngjes i ka thënë gruas pse ja kanë bërë gjilpërë por në dorë mbante thikën.

"Ai i kishte shkuar te dhoma në mëngjes, me thikë në dorë dhe i kishte thënë pse më keni bërë gjilpërën. Pas acarimit të marrëdhënieve e ka goditur dhe e ka lënë në shtëpi. Më pas ka shkuar në një lokal ku ka ngrënë mëngjes dhe nga aty ka shkuar te shtëpia e vëllait ku i ka thënë se gruaja kishte vrarë veten. Por pas marrjes në pyetje nga prokurori, ka pranuar se e ka kryer ai krimin.”-tha avokati i Petrit Mamajt, Kastriot Dyrmishaj.

Mamaj u arrestua dje, në ditën kur kreu edhe krimin ndërsa ekspertiza, pas ekzaminimeve në trupin e 50-vjeçares konstatoi 6 goditje me mjet prerës, një prej të cilave në zemër e cila ka rezultuar fatale. Gjuajtjet e tjera me thikë në trupin e gruas, 56-vjeçari Petrit Mamaj i bëri për të humbur gjurmët që gjithçka të dukej si vetëvrasje.

Mamaj e ka qëlluar të shoqen me thikë, e mandej ka lajmëruar të vëllain, punonjës policie se gruaja ka vrarë veten. Pas kësaj telefonate, policia ka mbërritur në vendngjarje ku ka mbledhur prova dhe ka kryer autopsinë në trupin e të ndjerës. 

Policia e ka gjetur 50-vjecaren të pa jetë afër krevatit, ndërsa krimi ka ndodhur në orën 06:30 të mëngjesit të djeshëm. Pas krimit 56-vjeçari shkoi në lokal për të pirë kafe ne banorët e tjerë me idenë për të krijuar alibinë se nuk ishte në banesë kur ndodhi ngjarja. Më pas ai shkoi në shtëpi ku kishte vrarë gruan me thikë dhe më pas mori të vëllanë në telefon për t'i thënë se gruaja e tij 'kishte vrarë veten'.

Çifti ishin prindër të dy fëmijëve që jetojnë jashtë vendit, ndërsa djali një ditë para vrasjes, ishte nisur në Gjermani, ku jetonte edhe motra e tij. Petrit Mamaj, është punonjës i Bashkisë së Fierit në ndërmarrjen e pastrim gjelbërimit, ndërsa Valdete Mamaj punonte në një dyqan rrobash.

Gjakftohtë, 56-vjeçari vrau bashkëshorten e tij me thikën e bukës, dhe njoftoi vëllanë e tij polic duke thënë se nëna e 2 fëmijëve të tij u vetëvra. Shenjat në trup dhe goditjet disa herë me thikë zbuluan vrasjen të cilën burri, punonjës në bashkinë e Fierit, e pranoi dhe tha se e bëri nga xhelozia.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?