Altin Mera, i shpallur në kërkim dje si një nga autorët e vrasje së 50-vjeçarit Xhetan Konesha në Dibër,është vetëdorëzuar sot në polici. Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se ai, prej ditës së djeshme, qëndronte i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan dhe në pamundësi për t’u larguar, ka dalë nga banesa dhe është vetëdorëzuar para policëve që po bënin krehjen e zonës, me qëllim arrestimin e tij.
"Si rezultat i kontrollit të pandërprerë dhe krehjes së zonës nga strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, për kapjen e bashkautorit të vrasjes së 50-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shtetasi A. M., në pamundësi për të qëndruar i fshehur dhe për t’u larguar, iu është vetëdorëzuar forcave të Policisë.
Ky shtetas qëndronte prej ditës së djeshme i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan dhe në pamundësi për t’u larguar, ka dalë nga banesa dhe është vetëdorëzuar para shërbimeve policore që po kryenin kontroll në atë zonë", njofton policia.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë në fshatin Luzni të Dibrës, ku viktima u konfliktua me Altin Meren dhe vëllain e tij, Muhamet Mera, 30 vjeç, që u vu në pranga dje.
Sipas banorëve të zonës konflikti është i vjetër dhe e ka zanafillën për një tubë uji, ndërsa policia arriti të arrestonte Muhamet Merën, por vëllai i tij, Altin Mera u arratis, duke u larguar në pyll, derisa u vetëdorëzua sot.