GREQI- I veshur me jelek antiplumb dhe nën masa të rrepta sigurie, 40-vjeçari shqiptar Pandeli Nakoleci dola para gjykatës pasi vrau gruan 36-vjeçare në sy të fëmijëve.
Në momentin që mbërriti në ambientet e gjykatës, gazetarët e pyetën: “Pse e bëre?” dhe nëse ishte penduar, por ai heshti ndërsa kokën e mbante të ulur. Madje, ai u përball me vajzën e tij 18-vjeçare, së cilës, sipas informacioneve, i tha: “M’u errësuan sytë, nuk doja ta bëja. Isha i hutuar”
Prokuroria e akuzon për “vrasje me paramendim”, ndërsa të martën në orën 10:00 pritet t’i merret dëshmia. Mediat greke shkruajnë se Prokuroria urdhëroi gjithashtu zhvillimin e një hetimi social për dy fëmijët e mitur të çiftit, për të vendosur se ku duhet të qëndrojnë. Deri tani, ata janë strehuar tek familjarët e nënës Marjola.
Sa i përket 40-vjeçarit, me urdhër të prokurorisë, do të hetohet edhe shtrimi i tij i mëparshëm në një spital psikiatrik, në qershorin e kaluar, si dhe rrethanat në të cilat ishte liruar. Pas vrasjes së gruas, 40-vjeçari qëndroi i fshehur për më shumë se 24 orë. Ai u gjet i fshehur mes barishteve të një parcele, pranë shtëpisë së tij.
Dëshmitarë okularë dhe banorë të zonës thanë se gjatë arrestimit ai u bërtiste policëve se e kishte vrarë bashkëshorten sepse e tradhtonte. “Mirë ia bëra. Këtë meritonte. Nuk pendohem për asgjë”, dyshohet se ishin fjalët e para të 40-vjeçarit pas arrestimit.
40-vjeçari kishte veshur rroba të tjera, ndryshe nga ato që mbante ditën e krimit, të cilat dyshohet se i kishte gjetur në koshat e mbeturinave.
Sipas mediave në shtetin fqinj, sherri nisi në apartamentin e tyre dhe çifti zbriti në hyrje të pallatit ku vazhduan të ziheshin. Sipas informacioneve, më herët nuk ka pasur të dhëna për dhunë në familje, megjithatë autori kishte pasur precedentë të mëparshëm me policinë.
Nesër, 25 gusht, pritet të kryhet autopsia e 36-vjeçares nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Selanik, ku tashmë është transferuar trupi i saj.
Komente
