Elton Bengaj dhe Sabrina Bengaj

Vrau ish-gruan 23-vjeçare në shtëpinë e prindërve, prokuroria e Fierit kërkon burg përjetë për Elton Bengajn

16 Shkurt 2023, 17:25| Përditesimi: 16 Shkurt 2023, 23:01

  • Share

Dy vite pas vrasjes së ish-gruas, Prokuroria e Fierit kërkon burgim të përjetshëm për Elton Bengajn, i cili vrau 23-vjeçaren Sabrina Bengaj në tetor të 2021-shit në shtëpinë e prindërve të saj në Zhupan të Fierit. Ndaj tij rëndojnë 4 akuza, vrasje, armë pa leje, kundërshtim i vendimit të gjykatës dhe prishje e qetësisë publike.

Pretenca është dhënë sot nga prokurorja Ervisa Hyka, ndërsa i pandehuri nuk ishte prezent në seancë gjyqësore. Gjykata e Fierit pritet të marrë vendimin në ditët në vijim pasi të dëgjojë dhe palën mbrojtëse.

Prokuroria ka akuzuar Elton Bengajn (Meta) për veprat penale “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në dëm të viktimës, ish-bashkëshortes së tij Sabrina Bengaj, e moshës 23 vjeçe.

Report Tv siguroi dosjen e divorcit të çiftit, ku në deklarimet e Sabrinës thuhej se pas martesës në vitin 2017 ata fillimisht kishin kaluar mirë me njëri-tjetrin, por më pas e reja ka deklaruar se bashkëshorti nuk e kishte lënë të vazhdonte shkollën, të punonte, ishte me mendime patriarkale dhe se i është nënshtruar dhunës psikologjike e fizike.

Po ashtu Sabrina ka deklaruar se në shtator të vitit të kaluar ajo kishte parë në Facebook foto të bashkëshortit me një vajzë tjetër dhe se e tronditur kishte marrë vajzën duke u larguar në banesën e prindërve. Pas kësaj, në shtator të 2020-ës Elton Meta shkoi në shtëpinë e prindërve të Sabrinës me kallashnikov duke marrë peng të gjithë familjen. Për këtë ngjarje Meta ka thënë se kishte shkuar me kallashnikov për të vrarë veten, nëse Sabrina nuk do të kthehej me të, pasi e donte. Ai u vu në prangat e policisë për këtë ngjarje, por kamuflimi se ishte në gjendje të rënduar shëndetësore ishte skema që Elton Meta përdori për të fituar lirinë nga burgu, edhe pse ndaj tij ishin ngritur 3 vepra të rënda penale.

Ishte Çlirim Sino që kërkoi që Elton Meta të shtrohet në spital si i sëmurë mendorë, ndërsa avokatët e vetë të dyshuarit kishin qenë kundër dhe kërkuan që të përballet me ligjin. Kjo kërkesë e prokurorit, vulosur nga gjyqtari Piro Sota, bëri që 32-vjeçari të shtrohej në spitalin e burgut në Zahari të Krujës, ku më pas mjekët konstatuan se Meta nuk ishte i sëmurë mendor që duhej izoluar, duke e nxjerrë edhe nga spitali. Mbrëmjen e 10 shtatorit, Elton Meta mori kallashnikovin dhe shkoi në shtëpinë e familjes së Sabrinës në fshatin Zhupan të Fierit, duke qëlluar për vdekje të renë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?