Agjenti i Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë së Dibrës, Arbër Sula, i cili ekzekutoi me tek plumb në zemër Jurgen Dukën në një market në Tiranë, ishte fshehur brenda territorit të vendit. Në dy muaj e gjysmë në arrati, Arbër Sula, nuk ka tentuar që të largohet jashtë. Nga 14 dhjetori i vitit të kaluar deri në fillim të shkurtit, efektivi rezultonte të ishte brenda territorit, referuar sistemit TIMS. Burime nga Policia e Tiranës i thanë Report Tv se nuk ka pasur tentativa nga ana e tij për të negociuar për një vetëdorëzim të mundshëm, por po ashtu as nga policia pasi nuk dihej vendndodhja e tij e saktë.
Por, i riu dibran, me banim në zonën e Saukut në kryeqytet u paraqit në orët pasdites të së martës në ambientet e Komisariatit nr. 2 në Tiranë dhe u vetëdorëzua. Pasi u verifikua për identitetin, dorëzoi armën e shërbimit me të cilën tërhoqi këmbëzën dhe qëlloi mbi Jurgen Dukën, iu vunë prangat. Për shkak të masës së sigurisë “arrest në burg” në mungesë të dhënë menjëherë pas ngjarjes nga Gjykata Penale e Tiranës, efektivi pritet të merret në pyetje nga prokurori, pasi vetëdorëzimi i tij të referohet në Akuzën e Tiranës.
Arbër Sula, ish-agjent krimesh me detyrë në Dibër, qëlloi me armë zjarri për vdekje 29-vjeçarin Jurgen Duka (Mëziri). Vrasja ndodhi brenda një marketi në rrugën ‘Irfan Tomini’, ndërsa shkak u bë sherri mes dy personave se kush do paguante i pari tek kasa. Fillimisht Duka mbeti i plagosur ndërsa ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë pasi plumbi e preku në zemër.
Jurgen Duka nuk ishte një emër i panjohur për policinë pasi rezultoi me precedent të mëparshëm kriminal. Rasti më i fundit, në vitin 2020 ai u arrestua së bashku me Elison Hysenbelli në kuadër të operacionit anti-drogë mes Italisë dhe Shqipërisë, të koduar ‘Riviera’ dhe do ekstradohej drejt vendit fqinj për t'u gjykuar.