Dy persona janë ekstraduar nga Italia e Franca drejt Shqipërisë, të shpallur në kërkim dhe dënuar në mungesë për vepra të ndryshme penale.
Nga Italia është ekstraduar 39-vjeçari Dritan Karaj alias Ethem Ademi, 39 vjeç, lindur në Krujë. Ai është dënuar me 19 vjet burg, për vrasjen e kunatit dhe marrjen peng të një personi. Karaj më 11 mars të vitit 2004 ka vrarë me armë zjarri në Fushë-Krujë kunatin e tij dhe prej atëherë u arratis. Gjatë periudhës që qëndronte i fshehur, Karaj së bashku me një tjetër, ka marrë peng një person përkundrejt përfitimit të një shume të konsiderueshme parash.
Arrestimi i tij u bë në Bergamo të Italisë në janar të 2019 dhe ditën e sotme u ekstradua në Shqipëri, pas 15 vitesh në kërkim.
Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar Karajn me 19 vjet burg, për kryerjen e veprave penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", "Armëmbajtja pa leje" dhe "Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit".
Gjithashtu ekstradohet nga Franca 45-vjeçari Ilir Kello dënuar për mashtrim. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale ”Mashtrimi”.