Varese- Shqiptari i kërkuar për vrasje të kryer rreth tre muaj më parë në Itali, arrestohet teksa fshihej në Slloveni, ku gjithashtu u kap paraprakisht për një krim tjetër që kishte kryer atje.
I dyshuari, emri i të cilit nuk u publikua, ishte ndaluar në Lubjanë më 5 janar të këtij viti dhe nga verifikimet e kryera rezultoi i kërkuar edhe nga Interpol Roma.
Ai dyshohet si autor i vrasjes së Vadym Usatyi, një 46-vjeçar i pastrehë ukrainas, goditur me dy të shtëna me armë zjarri në “Via Varese”, në Saronno, në mbrëmjen e 27 tetorit të kaluar.
Gjyqtari hetues i gjykatës në Busto Arsizio kishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar më 12 dhjetor të vitit të kaluar.
Autoritetet italiane për momentin nuk mund të konfirmojnë ende se i arrestuari dhe i arratisuri janë i njëjti person, sepse do të duhet të priten rezultatet e testeve të gjurmëve të gishtave të kryera nga autoritetet sllovene, të cilët për momentin nuk u kanë dërguar diçka konkrete kolegëve të tyre italianë.
Identiteti i personit është i njëjtë dhe gjithashtu të dhënat paraprake bëjnë fjalë për të njëjtin person të dyshuar. Por për shkak se pritet edhe konfirmimi me analiza, nuk ka ende një kërkesë ekstradimi, informon media italiane.
I kërkuari është një kriminel i njohur për policinë italiane, me precedentë të shumtë penalë dhe dhjetëra pseudonime, pasi mbante dhe lëvizte me dokumente false.