Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me 24 vite burg Dibran Hoxha, i njohur si ndryshe si ‘Kobra’, i cili më 3 janar të vitit 2023 vrau me armë zjarri të riu nga Kukësi Visart Cengu, pas sherrit për një faturë 400 euro në lokalin e autorit.
Kobra është dënuar për vrasjen e të riut nga Kukësi me 23 vite burg, ndërsa me 2 vite burg është dënuar edhe për armëmbajtje pa leje. Në total, sipas mediave kosovare, ai do të vuajë një dënim prej 24 vjetësh.
Ndërsa po ashtu i akuzuari tjetër Roland Susuri, është dënuar me 7 vite burgim për tre vepra penale të ndryshme. Ai ka marrë 1 vit e 6 muaj për pjesëmarrje në rrahje, 4 vite e 6 muaj për manipulim me prova dhe 1 vit e 6 muaj për armëmbajtje pa leje.
Dibran Hoxha, në orët e para të 3 janarit 2023, vrau me armë zjarri 31-vjeçarin Visar Cengun nga Kukësi. Ky i fundit bashkë me 2 shokët e tij, Arben Basha dhe Rufgen Shehu, 27 vjeç janë konfliktuar me grushte me Dibran Hoxhën, pronari i lokalit të natës ‘Kobra’ në Prizren, ku janë qëlluar me armë zjarri kur po largoheshin me automjet.
I plagosur mbeti Rufgen Shehu. Të rinjtë nga Kukësi nuk ishin të armatosur.
Mësohet se shkak për konfliktin është bërë fakti që të rinjtë nga Kukësi nuk kanë pranuar të paguajnë faturën prej 400 eurosh. Ata shkaktuan dëme brenda lokalit, ku hodhën shishe dhe thyen tavolina. Pasi kanë dalë nga lokali, në momentin kur kanë hipur në automjetin e tyre, të rinjtë janë qëlluar me armë zjarri nga Dibran Hoxha.
Pasi u plagosën, 3 të rinjtë janë nisur drejt pikës kufitare të Morinës ku rreth orës 04:25 të mëngjesit treguan se si ndodhi ngjarja dhe u nisën me urgjencë drejt spitalit të Kukësit, por Cengu ndërroi jetë rrugës.
Ndërsa 27-vjeçari, pas ndihmës së parë mjekësore në urgjencën e Kukësit u transportua në Tiranë për ndihmë më të specializuar.
Komente

2025 + 24 vjet = 2049 !
Përgjigju