Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për Teilor Tivari, 24 vjeç, i akuzuar për vrasjen e 51-vjeçarit Valbon (Marko) Beqiri më 24 shtator në lagjen nr. 12 të qytetit. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Ervin Sulaj, pranoi kërkesën e prokurorisë, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të të riut.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ku mësohet se Tivari ka shprehur pendesë të thellë për krimin. Ai ka pranuar se gjatë një konflikti me Beqirin i ka marrë jetën këtij të fundit. Para ambienteve të gjykatës, të pranishëm ishin edhe shokë të 24-vjeçarit.
Në burg u la edhe 27-vjeçari Xhenis Dakoli, i akuzuar për “moskallëzim të krimit” dhe “përkrahje të autorit të veprës penale”. Avokati i tij, Denis Mekolli, e cilësoi vendimin e gjykatës të padrejtë, duke shpjeguar dhe rolin e klientit të mbrojtur prej tij. Ai thotë se masën do e ankimojnë në Gjykatën e Apelit në Tiranë, pasi sipas tij, 27-vjeçari nuk ka kryer asnjë element kriminal.
Sipas avokatit, i riu është telefonuar nga 24-vjeçari, dhe i ka kërkuar që të shkojë që ta marrë se ka pasur një konflikt, por pa i thënë se ka kryer vrasjen. Një fakt i tillë, shtoi avokati në një prononcim, është pranuar gjithashtu edhe nga autori.
“Nga ana jonë është kundërshtuar me forcë se na rezulton se këto dy kërkesa të organit të procedurës nuk janë në përputhje me kërkesat e ligjit procedural. Po kështu në lidhje edhe me ngjarjen, aty ka rezultuar që i i mbrojturi prej meje është telefonuar nga shoku i ngushtë i fëmijërisë duke i thënë që kam pasur një konflikt të vogël, po deshe hajde më merr se nuk jam mirë. Kjo rezulton e provuar dhe në këto kushte, na rezulton se në ngarkim të të mbrojturit nuk duhet të kishte asnjë vepër penale. Në vlerësimin tonë nuk ka asnjë provë që organi i akuzës të shkonte në këto dy akuza. Kjo ka qenë që kemi kundërshtuar. Masa e kërkuar nga organi i akuzës ka qenë ekstreme, pavarësisht se jemi para një ngjarjeje të rëndë, por në secilën ngjarje, autorët mbajnë përgjegjësi për veprat e tyre. I mbrojturi prej meje nuk ka pasur asnjë element kriminal dhe sot duhej të ishte liruar nga qelia. Autori ka deklaruar siç është e vërteta, i ka thënë hajde më merr pa i thënë asnjë detaj se çfarë ka kryer. Ne do ta ankimojmë në Gjykatën e Apelit në Tiranë, duke vlerësuar se është vendim i padrejtë dhe i pabazuar në kërkesat e ligjit.", tha avokati.
Sipas policisë, 51-vjeçari u vra paraditen e së mërkurës, por është gjetur mbrëmjen e asaj dite nga nipi i tij në banesë. Teilor Tivari kishte shkuar në banesën ku qëndronte 51-vjeçari Beqiri për të blerë drogë. Më pas mes tyre ka ndodhur konflikt dhe i riu e ka goditur disa herë me thikë duke i shkaktuar vdekjen.
Pas ngjarjes, autori u arratis, i ndihmuar edhe nga bashkëpunëtorin e tij, që të largohej me një taksi dhe më pas e dërgoi në banesën e tij. Autori ka pretenduar se 51-vjeçari kishte tentuar ta përdhunonte. Ndaj tij rëndon akuza e vrasjes me dashje dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta, ndërsa ndaj bashkëpunëtorit të tij, rëndojnë akuzat e moskallëzimit të krimit dhe përkrahje e autorit.
Banesa ku ndodhi krimi është në pronësi të kushërirës së viktimës, e cila është në emigrim, dhe i kishte lënë çelësin e shtëpisë për t’u kujdesur. Mësohet gjithashtu se 51-vjeçari përdorte edhe një emër tjetër, Marko Beqiri dhe ishte baba i një djali 12-vjeçar. Ai punonte si kamarier me kohë të pjesshme në një lokal në qytetin bregdetar.
Komente
