TIRANË-Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Roland Pulën, pasi më 2020 vrau në fshatin Gramëz të Krujës vëllezërit Bardhi pasi i plagosën vëllanë.
Vëllezërit Gramoz e Xhentil Bardhi u qëlluan me kallashnikov, ndërsa ndërruan jetë rrugës për në spital.
"Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në datë 21.11.2024 e përbërë me Trup Gjykues: Kryesues Gjyqtare znj. Suela Lika, anëtarë: Gjyqtar z. Kujtim Vraniçi dhe Gjyqtare znj. Enkeleda Dalipi pasi shqyrtuan çështjen vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit R.P.,për kryerjen e veprave penale “ vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “ Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” parashikuar nga nenet 79/dh dhe 278/1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij përfundimisht me burgim të përjetshëm" thuhet në njoftim.
Krimi i rëndë ndodhi pas sherrit që nisi në lokalin e fshatit, autori u zuri pritë pranë shtëpisë në errësirë duke i qëlluar me breshëri dy vëllezërit. Në atë kohë u raportua se konflikti ishte vetëm vijim i përplasjeve që e kanë zanafillën në 19 gusht 2005 kur vëllai i Gramoz dhe Xhentil Bardhit, Eltoni plagosi me thikë Besnik Pulën.
Roland Pula ishte arrestuar në 2008, ndërsa në 29 tetor 2010 u dënua me 6 muaj burgim për akuzën e “kanosjes” me armë, 4 muaj burgim për akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe 2 vjet burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.