Arrestohet i fshehur në Greqi 51-vjeçari i shumëkërkuar si anëtar i grupit të Laert Haxhiut në Lushnjë, i akuzuar si bashkëpunëtor edhe në vrasjen e tregtarit të makinave Besnik Hida, e kryer në vitin 2019 në qytetin myzeqar.
I arrestuari është Ardian Ahmetaj, i cili po vuante prej vitit 2020 një dënim në Greqi me 11 vite burgim për armëmbajtje pa leje në rrethana rënduese, i dhënë nga Gjykata e Athinës. Policia e Shtetit konfirmoi sot (10 maj) operacionin e kryer në Pire dhe ka nisur procedurat e ekstradimit të tij.
Operacioni është koduar “Wanted” dhe Ahmetaj ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Hida u vra teksa pinte kafe, kurse përveç Ahmetajt si autorë akuzohen edhe Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Motiv i krimit mendohet se është hakmarrja.
“Strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion për një shtetas të kërkuar që fshihej në Greqi dhe menjëherë, nëpërmjet Interpol Tiranës, kanë bashkëpunuar me homologët grekë për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e personit me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve në kohë reale mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe homologëve grekë, në Pire, Greqi, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u lokalizua, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimi shtetasi A. A., 51 vjeç”, bëhet me dije në njoftimin zyrtar.
Ahmetaj ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Fierit, në vitin 2023, ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, për veprën penale “vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.
Ai dyshohet se në vitin 2019, në Lushnjë, në bashkëpunim me të akuzuarin si kreu i organizatës kriminale, Laert Haxhiu, i arrestuar dhe ekstraduar po nga Greqia, dhe Orgest Bilbili, po i arrestuar dhe dënuar, kanë vrarë me armë zjarri Besnik Hidën.
"Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri", njoftoi policia.
Laert Haxhiu, Orgest Bilbilin dhe Ardian Ahmetaj të tre persona me precedëntë penalë, akuzohen se janë 3 autorët e vrasjes së 40-vjeçarit Besnik Hida 6 vite më parë në Lushnjë. Policia e zbardhi vrasjen nga analizimi i qelizave telefonike, pamjeve të kamerave të sigurisë dhe dëshmive të reja.
Tregtari i makinave Besnik Hida, u ekzekutua teksa më 1 tetor 2019, teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në lagjen "Skënder Libohova" në qytetin e Lushnjës mëngjesin e datës 1 tetor 2019. Vrasësit në atë kohë ishin me maska dhe përdorën një makinë të cilën ia kishin grabitur një çifti në Tiranë.
Hida ishte daja i Zamir Latifit, të riut që u vra aksidentalisht më 11 tetor 2017 në të ashtuquajturën “masakra e Lushnjës”, teksa shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. Përgjatë 3 viteve në vijim 40-vjeçari vijonte të kërkonte drejtësi për nipin, por u eliminua edhe vetë.
Orges Bilbili, 33 vjeç, është i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e 2017-ës, bashkë me Anterio Kaloshin, ndërsa Ardian Ahmetaj, 49 vjeç, aktualisht ndodhej në burg në Greqi, i arrestuar në 2020-ën, si i dënuar me 11 vjet burg nga Gjykata e Athinës, për armëmbajtje pa leje në rrethana rënduese.
Viktima Besnik Hida, Orgest Bilbili dhe Laert Haxhiu
Komente
