SHKODËR- Gjykata ka caktuar “arrest me burg” për 34-vjeçarin Lek Vuksani, autorin e vrasjes së 51-vjeçarit Petrit Vuksani, ngjarje e ndodhur më 2 maj në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër.
Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë 34-vjeçari nuk ka folur, por ka lënë të flasë avokatin e tij. Mbrojtësi ligjor i tij, Vladimir Ladaj ka kërkuar nga gjykata vlerësimin psikologjik të 34-vjeçarit dhe caktimit e masës së sigurisë arrest me burg me afat. Kërkesa e mbrojtjes është refuzuar nga gjykata e cila ka miratuar kërkesën e prokurorit të çështjes Vat Stakaj duke caktuar masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale vrasje me paramendim.
Ngjarja ndodhi mesditën e 2 majit rreth orës 12:15 pas një konflikti për qiranë e banesës në pronësi të viktimës. 51-vjeçari Petrit Vuksani i kërkoi qiraxhiut të tij qiranë e banesës ku jetonte, kjo mesa duket ka nxitur konfliktin mes tyre dhe më pas ka përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit automatik nga 34-vjeçari. Në momentet e fundit të jetës së tij, Petrit Vuksani ndodhej në shtëpinë e tij dhe sapo ishte kthyer nga Anglia ndërsa vajzat e tij banojnë në Itali.
Policia e Shkodrës dhe forcat speciale RENEA gjetën dhe sekuestruan edhe armën e përdorur nga autori.