Viktima Virxhil Vesho dhe autori i dyshuar, Zyhdi Shehi

Vrau shokun e dhomës në azil, dëshmia e historianit Shehi: E pyeta disa herë Virxhilin nëse kishte njeri tjetër në dhomë, por s’mu përgjigj...

10 Gusht, 14:26| Përditesimi: 10 Gusht, 14:51

  • Share

Tiranë- Krimi i rëndë i ndodhur në azilin privat të të moshuarve “Ruaje Moshën”, në rrugën “Ali Visha” në Tiranë (8 Gusht), duket se ka si shkak patologjitë e moshës nga të cilat vuante historiani i arrestuar Zyhdi Shehi.

Hetimet e deritanishme të Policisë dhe Prokurorisë, tregojnë se 78-vjeçari i shpallur “Qytetar nderi” i Kavajës dhe me medaljen e punës “Naim Frashëri”, nuk ka qenë në gjendje të mirë psikologjike dhe shëndetësore në momentin e ngjarjes, kur goditi disa herë me bastun hekuri shokun e tij Virxhil Vesho, 82 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen.

Të dy të moshuarit vuanin nga skleroza dhe sëmundje të tjera derivat shëndetësor i të parës, por edhe si shkak i moshës. Në dëshminë e dhënë për hetuesit, zbardhen detaje të reja nga dinamika, rrethanat dhe shkaku. Dhe duket se nuk ka qenë zënia e krevatit sipas pretendimit të të dyshuarit, por një keqkuptim. Ai ka menduar se në dhomë i kishte hyrë dikush tjetër që nuk i përgjigjej dhe ky moment ka pasuar goditjet.

“Virxhili nuk po më përgjigjej nëse kishte njerëz të tjerë në dhomë. E pyeta disa herë dhe më pas qëllova disa herë në kokë dhe trup, duke menduar se ishte dikush tjetër”, ka thënë i dyshuari.

Rrëfimi i tij u bë në praninë edhe të një psikologu, për shkak të problemeve shëndetësore dhe moshës, raporton “TV Klan”.

Më tej ka rrëfyer se çfarë ndodhi:

“Pasi pimë ilaçet u shtrimë për të fjetur gjumë dhe në mesnatë u ngrita për të shkuar në banjo. Pasi u futa në dhomë, dëgjova zëra dhe të bërtitura dhe pashë se Virxhili ishte shtrirë. E pyeta kush po bërtet dhe i kërkova të fliste nëse kishte njeri në dhomë, por ai nuk m’u përgjigj. Në atë moment kam filluar ta godas në kokë dhe trup disa herë. Më pas i fola sërish duke i thënë nëse do flasë apo jo, aty mu përgjigj me dy-tre fjalë dhe e godita sërish me karrigen që gjendej aty. Nga ai moment nuk mbaj mend çfarë ndodhi”.

Dy infermieret e arrestuara
Për këtë ngjarje në pranga kanë përfunduar dhe dy infermieret e azilit, Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi, 31 dhe 26 vjeçe, të cilat akuzohen se kanë kryer veprime që kanë penguar zbulimin e së vërtetës. Ato nuk njoftuan Policinë pasi panë trupin e pajetë dhe gjurmët e gjakut nga plagët në kokë dhe trup, por e çuan të mbështjellë me çarçaf në një funeral për procesion, pastrim dhe përgatitje trupi. Funerali refuzoi kur pa hemorragjinë dhe dëmtimet, duke e kthyer kufomën mbrapsht dhe më tej u informua Policia e Tiranës. Pamjet e kamerave zbuluan një pjesë të dinamikës dhe çuan infermieret në pranga.

Në deklarimet e saj 31-vjeçarja Mulla shprehet se Virxhili Vesho flinte në një dhomë tjetër, por atë natë ishte zhvendosur tek dhoma e Zyhdi Shehut.

“Nuk është e mundur që gjatë natës të hyjë ndonjë pacient nga një dhomë ne tjetrën. Virxhili flinte në një dhomë tjetër dhe mbrëmë ka qenë tek dhoma  Zyhdi Shehit. Ata kishin fjetur dhe herë të tjera në një dhomë e nuk kishin pasur probleme”, ka dëshmuar ajo.

Rezulton nga hetimet në dosje se infermieret e kanë konstatuar ngjarjen rreth orës 03:13 të mëngjesit të së enjtes dhe pasi kanë lëvizur trupin e viktimës, hequr rrobat e tij, pastruar vendin e ngjarjes kanë lajmëruar punonjësit e agjencisë funerale dhe jo policinë. Këta të fundit janë lajmëruar rreth 1 orë e 12 minuta më vonë. Hetimet mbeten ende aktive dhe Prokuroria po vijon me mbledhjen e provave me interes për çështjen.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?