Gjykata e Tiranës ka vendosur të dënojë me 30 vite burg Islam Mylkaj, personin që ekzekutoi me disa plumba shokun e tij Haxhi Baçinozin.
Një muaj më parë prokuroria kishte lexuar pretencën ndaj këtij të pandehuri, duke kërkuar dënimin e tij me 35 vite burgim. Por në dhënien e vendimit, trupi gjykues është ulur me 5 vjet, duke e dënuar Mylkaj me 30 vjet heqje lirie.
Mylkaj, një vit më parë vrau shokun e tij Haxhi Bacinozin, tek parku i liqenit. Ndërsa ngjarja e rëndë ndodhi për një borxh financiar prej 45 mijë euro që Baçinozi, ia kishte dhënë ish-mikut të tij Islam Mylkaj. Ky borxh është bërë shkak i përplasjes fizike dhe më pas vrasjes së Baçinozit nga Mylkaj.
Nga materialet që ndodhen në dosjen flitet se dy ish-miqtë nga Mallakastra, Mylka dhe Baçinozi,janë shkëmbyer në një nga shëtitoret e liqenit artificial, ku mes tyre ka pasur një debat.
Baçinozi i ka kërkuar sasinë e eurove Mylkaj, dhe në debat e sipër ai i është drejtuar “...e ore shkërdhatë, ti luan me lekët mia?...” dhe më pas dy ish-miqtë janë përplasur fizikisht duke bërë që Mylkaj ta nxjerrë armën nga brezi dhe ta qëllojë Baçinozin plot katër herë duke e lënë të vdekur në vend.
Islam Mylkaj mundi të largohet me shpejtësi nga vendgjarja por më pas u vetëdorëzua në polici.