Fadi Alwan 49 vjeçar u vu në pranga falë komunikimit të vazhdueshëm të policisë shqiptare me strukturat homologe në Liban, nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Beirutit.
Burri palestinez i cili dyshohet se vrau me thikë të bijën 24-vjeçare pritet të ekstradohet në Shqipëri.
Babë e bijë erdhën nga Gjermani në Tiranë në muajin shkurt 2025. Vrasja ndodhi në banesën që ata morën me qira dhe u zbulua pak ditë më vonë nga pronarja e apartamentit, pasi burri ishte arratisur drejt Libanit.
Ndaj tij gjykata penale e Tiranës caktoi në mungesë arrest me burg, nën akuza për vrasje për shkak të rrethanave familjare.
Motivet e këtij krimi të rëndë mbeten ende mister. E reja nënë e 3 fëmijëve ishte divorcuar, dhe të vegjlit jetonin në Liban me babanë e tyre, Në Gjermani Rayyan Alwan nisi një jetë të re, dhe afrimi i saj me traditat perëndimore dyshohet se u bë shkak për probleme të vazhdueshme të 24-vjeçares me familjen e saj, prindërit dhe vëllezërit. Për këto shqetësime vajza kishte bërë edhe denoncim në polici në Gjermani.
Hetuesit ende dyshojnë se në planin për të vrarë vajzën të jetë përfshirë edhe nëna e saj, megjithatë për këtë pistë mungojnë ende provat bindëse.
Që prej shkurtit, trupi i pajetë i të resë ndodhej në morgun e Tiranës, dhe u tërhoq vetëm pak ditë më parë nga një avokat i ardhur nga Libani, ndërsa u përcoll në banesën e fundit nga dy vëllezërit e saj në Gjermani, ku dhe është varrosur.
Komente
