TIRANË- Për krimin e bërë ndaj vëllait të tij dhe kunatës, Arsen Muskurti autori i ekzekutimit të 30 gushtit në Tiranë ka mbetur në burg nga Gjykata e Apelit. Pa shfaqur asnjë shenje pendese për krimin e tij, Muskurti zbuloi arsyen e krimit të tij i cili tronditi Tiranën. Ai ka thënë se me vëllain e tij ishte në proces gjyqësor për një shumë të konsiderueshme parash, të cilën sipas tij viktimat ia kanë marrë pasi i kanë falsifikuar firmën, ndaj edhe ai ka kërkuar ekspertim të firmës. Muskurti ka thënë se vëllai i tij Dritani dhe kunata Nora Muskurt, i kanë shkaktuar tronditje për shkak të problematikave të vazhdueshme.
Çështja në Apel u shqyrtua pasi në Gjykatën Penale avokati i Arsen Muskurtit pohoi se autori kishte probleme të shëndetit mendor dhe rrjedhimisht u kërkua ndryshim pjësërisht të vendimit.
Si ndodhi ngjarja?
Report Tv mëson se Arsen Muskurti ka debatuar fillimisht me vëllanë, Dritan dhe gruan e tij Nora në biznesin e këtyre të fundit. Autori ka nxjerrë armën para se të hynte në agjencinë turistike, por pas debatit i ka qëlluar me 5 plumba, të cilat kanë rezultuar fatale duke marrë jetën në vend. Pas arrestimit rreth dy orë pas ngjarjes, 38-vjeçari çoi hetuesit në rrugë të gabuar për të gjetur armën e krimit. Ishte njëra prej dy grave të tij, e cila rrëfeu para hetuesve vendin ku ai fshehu pistoletën. Ajo u dha kodin e kasafortën, vetëm disa metra larg biznesit të agjencisë së udhëtimeve ku vrasja ndodhi. Mësohet se autori i kishte viktimës një borxh prej 150 mijë eurosh, për të cilin Albani Muskurti kishte hapur edhe një proces gjyqësor, për të cilin Arseni kishte kërcënuar edhe avokaten e të vëllait.
Sherret e vazhdueshme mes dy vëllezërve u tensionuan pasditen e së martën, pasi Arsen Muskurti kishte marrë një fletëthirrja gjyqi. Kallëzimi ishte bërë katër ditë më parë nga Albani, i vëllai, i cili kërkonte urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje bashkë me të shoqen Norën. Menjëherë pasi ka marrë fletëthirrjen, Arseni ka shkuar në agjencinë e vëllait dhe e ka vrarë bashkë me gruan.
Kush është autori, Arsen Muskurti?
Arsen Muskurti, i njohur edhe me emrin Hamza Muskurti, është një biznesmen i dyqaneve të ‘Natyral Vita’, gjithashtu edhe predikues i fesë islame, që mendohet të jetë një shkak i vrasjes së sotme. Burime thonë se Muskurti në biznesin e tij ka patur probleme financiare, teksa ndaj tij ka pasur edhe një denoncim se ka ngacmuar punonjëset dhe i ka keqtrajtuar ato. Pikërisht për këtë denoncim, ai ka paraqitur edhe një dëshmi noteriale, të cilën Report Tv e disponon, ku punonjëset deklarojnë se janë larguar nga puna për arsye personale.