Arsen Muskurti ndodhet në qeli i pa penduar për vrasjen e vëllait dhe kunatës pas konflikteve të vazhdueshme mes tyre që kishin arritur deri aty sa Albani dhe Nora Muskurti të kërkonin urdhër mbrojtje. Por pas tragjedisë në familje, tashmë janë 3 gratë e 38-vjeçarit vrasës që kërkojnë të mbrohen nga autoritetet me argumentin se i druhen hakmarrjes.
Në një vilë 2 kateshe në rrugën 5 maji në kryeqytet Arsen Muskurti jeton me bashkëshorten dhe 7 fëmijët. Fqinjët tregojnë për Report Tv se në lagje të gjithë e dinin që 38-vjeçari kishte edhe 2 gra të tjera, të cilat jetonin në shtëpi të ndryshme.
“Pak i kemi njohur, përmes të ëmës se ajo ka qenë dentiste sepse na lidhte më shumë shërbimi. E kemi dëgjuar që një grua e kishte këtu me shtatëfëmijë te shtëpia, një e kishte te Concordi atje, flitet edhe për një të tretë por nuk e di. Këto myslimanët nuk e kanë problem siç kemi dëgjuar se është e lejueshme dhe mirë që martohen disa herë”, tha një fqinje.
Të tjerë fqinj edhe pse jetojnë pothuajse ngjitur me dy familjet, thonë se nuk e njohin, ndoshta kjo për të shamngur daljen në media.
“Nuk i njohim”, thonë ata.
Nëna e djalit që u kthye në vrasës të vëllait dhe kunatës, jeton pak metra më tutje në një tjetër vilë me Albanin dhe Nora Muskurtin që lanë jetim 3 fëmijë.
Banesa e autorit edhe 3 ditë nga vrasja makabre është e kyçur. Gruaja e Arsen Muskutit mësohet nga burime jo zyrtare ti jetë drejtuar Gjykatës së Tiranës për urdhër mbrojtje, pasi bashkë me fëmijët ndihet e kërcënuar për ndonjë hakmarrje të mundshme nga miq e familjarë të çiftit të vrarë.
Të njëjtat burime thanë për Report Tv se gruaja me të cilën ka 7 fëmijë, dhe 2 gratë e tjera të Arsen Muskurtit, njëra me një fëmijë me të, aktualisht janë strehuar në një qendër sociale, vendndodhja e së cilës nuk bëhet më dije.
Alban dhe Nora Muskurti u vranë brenda agjencisë së tyre të udhëtimeve në një rrugicë pranë xhamisë “Dine Hoxha” në Tiranë. Arsen Muskurti hyri qetësisht në agjenci dhe qëlloi pesë herë me pistoletë dhe më pas u largua për t’u kapur disa orë më vonë në zonën e “5 Majit”. Ende i pa penduar për krimin, Arsen Muskurti është shprehur se vëllai e kunata e meritonin të vdisnin pas konflikteve të vjetra për pronësinë, që vazhdimisht i kishte çuar të dyja palët në dyert e policisë.