Flamuri sirian

Bota

Vritet militanti i ISIS, planifikoi sulme në Evropë dhe SHBA

20 Shtator, 09:13| Përditesimi: 20 Shtator, 09:26

  • Share

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara tha se trupat e tij kanë vrarë një militant kryesor të grupit ekstremist, Shteti Islamik (ISIS) në Siri, një ditë parë.

Ai u përshkrua si përgjegjës për planifikimin e sulmeve në Evropë dhe SHBA.

Agjencia kundërterrorizmit e Irakut tha se ka ndihmuar koalicionin në lokalizimin e militantit. Ai u identifikua si Omar Abdul-Qader, i njohur edhe me nofkën e luftës Abdul-Rahman al-Halabi.

Agjencia irakiane për kundërterrorizëm tha se ai ishte kreu i operacioneve të huaja të ISIS. Ai ishte i përfshirë në bombardimin e Ambasadës iraniane në Bejrut më 2013, që shkaktoi vdekjen e më shumë se 20 personave. Në këtë sulm u vra edhe atasheu kulturor i Iranit, tha kjo agjenci.

“Ne nuk do të ndalemi në ndjekjen e terroristëve që synojnë të sulmojnë Shtetet e Bashkuara, forcat tona ose aleatët dhe partnerët tanë jashtë vendit”, tha komandanti i Komandës Qendrore amerikane, admirali Brad Cooper.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut – organizatë që monitoron luftën,  tha se Abdul-Qader u vra gjatë një operacioni të kryer nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja në provincën siriane, Hama. Asnjë nga sulmet që ai kishte planifikuar nuk ishte realizuar.

Shefi i Vëzhguesit sirian, Rami Abdurrahman tha se Abdel-Qader, shtetas sirian, ishte i arrestuar në Liban dhe më pas u ishte dorëzuar autoriteteve të Damaskut kur në pushtet ishte presidenti sirian, Bashar al-Assad. Pas rrëzimit të Assadit nga pushteti dhjetorin e vitit të kaluar, Abdul-Qader iku nga burgu dhe ishte në arrati që atëherë.

ISIS dikur kontrollonte pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut, ku ekstremistët shpallën një kalifat më 2014. Ky grup njihej për veprime brutale në këto dy shtete, por edhe për planifikimin e sulmeve vdekjeprurëse në mbarë Lindjen e Mesme dhe në pjesën tjetër të botës.

Ekstremistët u mposhtën në Irak më 2017 dhe në Siri dy vjet më vonë, por grupi ka ende celula që vazhdojnë të jenë aktive.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?