Jovan Vukotiç

Ekzekutohet në Turqi bosi famëkeq i drogës malazeze! U qëllua me armë teksa ishte në makinë me gruan dhe vajzën e tij

9 Shtator 2022, 21:38| Përditesimi: 9 Shtator 2022, 22:41

  • Share

Jovan Vukotiç, një 42-vjeçar malazez i dyshuar si kreu i bandës famëkeqe të drogës Skaljar teksa ndodhej në makinë me vajzën dhe gruan e tij u qëllua për vdekje në Turqi nga një person i cili po lëvizte më motoçikletë.

Lajmi mbi ekzekutimin e tij u bë i ditur nga mediat malazeze, ndërsa policia malazeze ende nuk ka konfirmuar vdekjen e tij.

“Shërbimet malazeze po përpiqen të marrin informacion dhe konfirmim nga kolegët në Turqi. Megjithatë, procedura është e ngadaltë”, tha Drejtoria e Policisë për radio “Antena M”.

Vukotiç ishte në arrati pasi autoritetet gjyqësore malazeze në shtator të vitit të kaluar lëshuan një urdhër të kuq për arrestimin e tij.

Ai figuron në dosjet dhe dokumentet e policisë së Malit të Zi si një nga drejtuesit e bandës së drogës me qendër në qytetin e Kotorrit.

Në vitin 2018 ai mohoi përfshirjen në trafikun e drogës. Në dhjetor 2020, Prokuroria Speciale e Shtetit e akuzoi Vukotiçin për krijimin e një organizate kriminale dhe për përgatitjen e vrasjes së tre anëtarëve të bandës rivale të drogës Kavaç.

Sipas prokurorisë, Vukotiç planifikoi të vriste Slobodan Kascelan, të supozuar si mbret i bandës së Kavaçit, dhe Veljko Belivuk dhe Marko Miljkoviç, krerët e një bande tjetër famëkeqe nga Serbia.

Vukotiç u akuzua si rezultat i provave të marra nga komunikimet e Sky EÇ, të marra dhe të transmetuara nga policia franceze dhe holandeze, për krime që përfshijnë trafik droge, vrasje dhe rrëmbim.

Banda e Skaljarit është përfshirë në një luftë gjashtëvjeçare me bandën rivale të Kavacit, po nga Kotorri. Të paktën 40 persona janë vrarë në Mal të Zi, Serbi, Austri dhe Greqi në konflikt. Të dyja bandat i kanë marrë emrat e tyre nga lagjet e Kotorrit, një qytet mesjetar me rreth 20,000 banorë në Gjirin Boka të Malit të Zi.

Konflikti nisi në vitin 2015, pasi 300 kilogramë kokainë u zhdukën nga një apartament në Valencia, Spanjë, në vitin 2014.

Në vitin 2018, Vukotiç u arrestua në Turqi dhe u ekstradua në Serbi, ku Gjykata e Lartë në Beograd e dënoi me 15 muaj burg për përdorimin e një pasaporte të falsifikuar maqedonase. Në shkurt 2020, ai u ekstradua në Mal të Zi, ku u akuzua për tentativë vrasjeje të anëtarëve të bandës së Kavaçit. Por në korrik të atij viti Gjykata e Lartë në Podgoricë i hoqi akuzat dhe ai u lirua.

Mediat raportuan se anëtarët e bandës rivale u përpoqën të vrisnin Vukotiçin ndërsa ai ishte në burg në Mal të Zi, pas ekstradimit nga Serbia. Një nga viktimat e luftës gjashtëvjeçare të bandave të drogës ishte vetë babai i Vukotiçit, Veselin, i cili u vra në Kotorr, mars 2019.

Krimi i organizuar ka rrënjë të thella në Malin e Zi, një ish-republikë jugosllave me rreth 630,000 njerëz që për vite ka shërbyer si një pikë tranziti për cigaret dhe drogat e paligjshme.

Në 18 qershor të këtij viti, Milic Minja Shakoviç, një tjetër anëtar i klanit mafioz malazez “Skaljar” u ekzekutua me armë në Budva.

Shakoviç ishte ulur në një tavolinë në një lokal pranë shëtitores së qytetit ku u qëllua  disa herë për vdekje disa  nga një burrë me këmishë të bardhë dhe kapele.

Për shkak të përplasjeve mes klanit mafioz Skaljar” dhe “Kavac”, Shakoviç ishte shumë i kujdesshëm. Ai dilte rrallë nga shtëpia, me makinë të blinduar dhe shoqërohej nga bodyguard.

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?