Tirane- Më shumë se 37% e bizneseve në vend kanë një borxh për të shlyer. Në vrojtimin e fundit të Bankës së Shqipërisë mbi huamarrjen e ndërmarrjeve në gjashtëmujorin e parë të vitit tregon se pesha e ndërmarrjeve që kanë një borxh për të shlyer është rritur me 1% krahasuar me vjet.
Nga vrojtimi vihet re se gjatë kësaj periudhe kanë marrë më shumë borxhe bizneset e vogla dhe ato të mëdha. 28% e ndërmarrjeve të vogla kanë një borxh për të shlyer, ndërkohë që në fund të vitit 2023, ishin vetëm 24% me borxhe. Tek ndërmarrjet e mëdha janë 42% e tyre që kanë borxhe për të shlyer.
“Pesha e ndërmarrjeve huamarrëse vijon të jetë më e lartë në sektorin e ndërtimit (46% e totalit të sektorit), ndjekur nga sektori i tregtisë (43% e totalit të sektorit), dhe më e ulët në sektorin e shërbimeve (27%). Me përjashtim të sektorit të tregtisë, të tre sektorët e tjerë rezultojnë të kenë rritje të peshës së ndërmarrjeve huamarrëse krahasuar me periudhën e kaluar”, thuhet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë.
92% e borxheve të marra kanë qenë përmes kredive në banka ose në institucione jo-banka.
“Huamarrja e ndërmarrjeve është realizuar kryesisht për përballimin e shpenzimeve afatshkurtra dhe për kryerjen e një investimi afatgjatë”, vijon më tej vrojtimi.
Nga vrojtimi rezulton se bizneset e vogla marrin borxhe kryesisht për shpenzimet të papritura dhe nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për ti përballuar. Kurse bizneset e mëdha kanë marrë më shumë borxhe për investime.
Sa i takon peshës së huasë në raport me kapitalin e vetë kompanisë, 81% e ndërmarrjeve thotë se borxhi arrin sa gjysma e vlerës së kapitalit. 12% e bizneseve thonë se borxhi është sa kapitali i kompanisë, dhe 7% thonë se vlera e borxhit e tejkalon vlerën e kapitalit.